Lajme

Buzhala: ‘Its My Home’ është shou më real se ai i Big Brother

Screenshot: Ditari i Buzhalës 28/Youtube

Në fraksionin e sontëm u përfolën disa tema, kryesisht ato që u veçuan tri ditët e fundit, që kur edhe u publikua Ditari pararendës. Sonte ndërkaq, autori diskutoi edhe për pjesën që mori dhenë gjatë ditës së djeshme, atë të “reality show”, “It’s my home” dhe vendimin e KPM-së për ta mbyllur të njëjtin transmetim në First Channel, me ç’rast Maloku më pas vendosi që të njëjtin ta transmetojë në kanalin zyrtar në platformën “Youtube”.

Buzhala ia kujtoi KPM-së edhe përplasjen mes Frashër Krasniqit e Milazim Zekës në Klan Kosova, por që i njëjti emision nuk u ndalua.

“Nuk është korrekte me ndalu një emision të tillë e dikë tjerët jo. “It’s my love” ka qenë më herët. Pse s’u ndalu ai?! Ky “reality show” ka gjasa me qenë aktrim, madje ajo çika nuk e lajmëroi rastin në polici. Atëherë gjithçka ndërlidhet që kjo ndalje është bërë qëllimisht”, tha kreatori i Ditarit, duke vënë në pah mundësinë që gjithçka të ketë qenë e orkestruar.

“Te debati, Batoni tha që nuk i ftojmë për gjashtë muaj, veç emisioni vazhdoi. Çka tash? Që tha Azem Deliu, e pat një status të mire, ka pasë emision të vetin, për kulturë për libra, edhe nuk e përcjell askush. Ose Dragusha në T7. Pra, të njëjtit njerëz që kritikojnë formatin e tillë si “It’s my home”, as nuk iu shkon mendja me këqyr diçka tjetër”, potencoi më pas Buzhala.

Tutje, ai këtu ndërlidhi faktin se me çka merremi ne në Kosovë, kur diku në një anë të botës ka prioritete tjera.

Këtu komentoi situatën në frontin lindor të kontinentit, duke transmetuar edhe diskutimet e analistëve perëndimorë për çështjen Kosovë – Serbi, duke përmendur faktin se përderisa Rusia është tërësisht e pozicionuar në Ukrainë, atëherë do të ishte një mundësi e mirë për një marrëveshje këtu.

Në pjesën e fundit, nuk mungoi as ironia dhe keqpërdorimi i deklaratës së Jasharajt nga ana e kryeministrit Kurti.

Shefi i ekzekutivit, si në konferencë, ashtu edhe në Kuvend, e stërteproi duke pohuar frazën: “vëlla”, frazë me të cilën duket se kryesindikalisti arsimor iu drejtua Kurtit në takimin e së martës.

“Pra, fakti që i ka thënë na ndihmo si vëlla, nuk është keq bre. Krejt e përdorim atë frazë. Nuk bën tash me e përmend 100 herë. Kjo është diçka që e themi krejt kur jemi në situatë të disfavorshme përballë dikujt që posedon gjithë potencialin ekonomik. Pra, ky i ka shpërnda 350 milionë euro, mirë që i ka shpërnda, ama po thotë që bankrotojmë nëse u lëshojmë edhe ka 8 milionë tjera në muaj”.

Më poshtë edhe pjesa e zgjedhur, ndërsa në pjesën e epërme të tekstit është edhe episodi i plotë. /Nacionale