Lajme

Buxhovi kërkon të veprojë Prokurori i Shtetit pas paraqitjes së mbrëmshme të Shefqet Krasniqit

Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se Prokurori i Shtetit duhet të veprojë menjëherë aty ku preket kodi kushtetues dhe sistemi i vlerave në shoqërinë tonë. Këtë reagim Buxhovi e ka bërë duke marrë shkas nga një paraqitje në media e hoxhës Shefqet Krasniqi, i cili ndër tjerash, tha se gratë e kanë vendin në kuzhinë e burrat në odë, raporton Gazeta Express.

Buxhovi ka shkruar se klerikëve fetarë nuk duhet t’u lejohet hapësirë mediale ku bëjnë thirrje për diskriminim gjinor e dhunë në familje.

“KUR KLERIKËT BËJNË POLITIKË, NDËRSA POLITIKANËT DUA! Në një shtet laik, siç është Kosova, klerikëve nuk duhet t’u lejohet hapësirë mediale, ku bëhet thirrje e hapur për diskriminim gjinor, dhunë në familje, ku madje, edhe identiteti nacional kërkohet të zëvendësohet me atë fetar!
Meqë kushtetuta mbron të drejtën e lirive fetare si dhe përcakton vendin e klerit në shoqëri, prokurori i shtetit duhet të veprojë menjëherë aty ku preket kodi kushtetues si dhe sistemi i vlerave mbi të cilin mbështetet shoqëria e lirë dhe demokratike”, ka shkruar Buxhovi.

Për mosveprimin e sistemit të drejtësisë në këso raste, Buxhovi i ka fajësuar pjesën më të madhe të politikanëve, teksa ka thënë se në këtë situatë, klerikët po bëjnë politikë nëpër studio.

“Pse gjyqësori nuk ka vepruar deri më tash në këtë frymë, fajin duhet kërkuar te pjesa madhe e politikanëve, që për interesa meskine, jo rrallë para elektoratit përdorin gjuhën e klerikëve, ndërsa klerikët, pse jo, në kuadër të këtyre raporteve, në jetën publike, veçmas nëpër studio televizive, bëjnë politikë!”, ka shkruar Buxhovi.