Lajme

Bota i del në ndihmë Libanit, këto shtete ofrojnë përkrahje të menjëhershme

Disa shtete janë deklaruar të gatshme për t’i ofruar ndihmë Libanit pas shpërthimit shkatërrues që ndodhi të martën në kryeqytetin e këtij vendi, Beirut, duke lënë të vdekur së paku 100 persona.

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, e shprehi të mërkurën gatishmërinë e vendit të tij për të dërguar ndihma mjekësore në Liban si dhe t’i trajtojë personat e lënduar nga shpërthimi, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

“Irani shpreh gatishmërinë e vet për të dërguar ndihma mjekësore në Liban dhe gjithashtu ofron trajtim për të lënduarit dhe asistencë tjetër të nevojshme mjekësore”, citohet të ketë thënë presidenti iranian.

“Ne shpresojmë se rrethanat e këtij incidenti do të përcaktohen sa më shpejt që është e mundshme dhe që paqja do të kthehet në Bejrut”, shtoi ai.

Ndërkohë Fondacioni Humanitar i Ndihmave i Turqisë (IHH) ka dërguar punëtorë për të ofruar ndihmë në kërkimin e të mbijetuarve të mundshëm të shpërthimit.

“E kemi transmetuar ofertën tonë për të ndihmuar dhe po presim një përgjigje nga ana libaneze”, tha një zyrtar i lartë turk për agjenciën Reuters.

Mustafa Ozbek, zyrtar i këtij fondacioni, tha se punëtorët e grupit janë duke kërkuar nën rrënoja për trupa të njerëzve dhe se grupi e ka ngritur një kuzhinë në një kamp për refugjatët palestinezë për të ofruar ushqim për ata që kanë nevojë.

Për më tepër, një ministër britanik tha se vendi i tij është duke u angazhuar urgjentisht për të vendosur se çfarë ndihme teknike dhe financiare do t’i ofrohet Libanit pas shpërthimit masiv që shkaktoi shumë viktima.

“Do të ketë njoftime të tjera më vonë gjatë ditës për atë se çfarë ndihme do t’i ofrohet Libanit”, tha Nick Gibb, një nga minsitrat e qeverisë britanike.


SHIKO VIDEON