Lajme

Borrell fajëson sërish Kosovën në lidhje me Serbinë

Përplasjet që Josep Borrell ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe dhe referendumit serb, siç duket kanë bërë që ai të jetë më i ashpër dhe më direkt kur flet për Kosovën si palë në negociata.

Sot nga Brukseli, Borrell e ka paraqitur Prishtinën zyrtare si një palë destruktive në negociata, duke shtuar se aktualisht Prishtina po tregon më shumë mos dëshirë për t’u kthyer në tavolinën e dialogut.

Borrell ka shtuar se bashkë me emisarin Miroslav Lajçak, janë duke vazhduar përpjekjet për aranzhimin e një takimi të ri mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Por Borrell thotë se një gjë e tillë do të ndodhë vetëm kur palët të pajtohen që nga takimi të dalin rezultate pozitive.

“Mirëpres gatishmërinë e Serbisë për tu angazhuar në dialog. Dhe do t’ia bëjë të qartë Kosovës edhe një herë, që dialogu nuk po bëhet vetëm sa për sy e faqe, por është krucial për vazhdimin e rrugëtimit evropian. Bashkë me Lajçak, do të vazhdojmë përgatitjen e një takimi të ri në Bruksel, por kjo do të ndodhë kur dy palët do të jenë të gatshme për t’u pajtuar për rezultate pozitive. Për këtë z. Lajçak dhe unë do të vazhdojmë të bisedojmë me dy palët, në veçanti me Kosovën, sepse në këto momente po tregon më shumë mos dëshirë për tu kthyer në dialog. Dhe për këtë Lajçak do të udhëtojë në Kosovë dhe Serbi, së pari në Kosovë, javën e ardhshme, bashkë me z. Escobar, për t’u takuar me liderët politik dhe për të shtyrë palët që dialogu të rifillojë përsëri”, ka thënë Borrell.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?