Lajme

Biden: Rënia e raketës në Poloni ishte rezultat i mbrojtjes ajrore të Ukrainës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, organizoi mëngjesin e së mërkurës një takim të vendeve anëtare të G7-s dhe partnerëve të NATO-s, ku u diskutua për rënien e raketave në territorin polak një ditë më herët.

Sipas Reuters, duke cituar burime të NATO-s, Bideni u dha aleatëve informacione paraprake për atë që ndodhi.

“Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka informuar G7-en dhe partnerët e NATO-s se raketa që ra në territorin polak është një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase”, ka thënë Biden, raportoi Reuters, duke cituar burime të NATO-s.

Një raketë e prodhimit rus goditi të martën fshatin polak Przewodowo, që ndodhet në kufirin mes Polonisë dhe Ukrainës, duke vrarë dy persona.

LEXO EDHE:  Digjet një veturë në Autostradën “Ibrahim Rugova”

Zyrtarët polakë mbajtën një sërë takimesh të jashtëzakonshme dje dhe kryeministri polak Mateusz Morawiecki ka thënë se vendi do të aktivizojë nenin 4 të aleancës së NATO-s, që nënkupton konsultime të të gjitha vendeve anëtare për situatën aktuale.

Ky takim, si zakonisht në situata të ngjashme, do të drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg.

Rusia e ka mohuar se ka drejtuar raketën në territorin e Polonisë.