Lajme

Biden: Do të isha me fat nëse Trump garon sërish kundër meje

Presidenti amerikan Joe Biden ka nisur një tur në Europë për shkak të krizës në Ukrainë, që ka përfshirë të gjithë globin. Por nuk mundi të qëndronte larg politikës së brendshme amerikane, edhe pse zgjedhjet e ardhshme presidenciale janë dy vite larg.

Në një prononcim të fundit nga Brukseli, Biden tha se do të ishte me fat nëse rivali që mundi në 2020-n, Donald Trump, do të rikandidonte kundër tij.

I pyetur nëse politika e jashtme amerikane do të mbetej e pandryshuar nëse dikush tjetër bëhej president, Biden iu referua Trumpit kur tha: “Do të isha shumë me fat nëse në zgjedhjet e ardhshme do të kisha përballë të njëjtin person”.

Trump nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidimin për një mandat të dytë, por mbetet figura më popullore nga radhët e Partisë Republikane në SHBA dhe ka lënë të kuptohet disa herë që ka ndërmend të garojë për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Ai ka kritikuar shpesh pasuesin e tij për atë që po ndodh në Ukrainë dhe pretendon se po të ishte ai president, Putin nuk do ta kishte pushtuar kurrë vendin fqinj.