Lajme

Biden: Dënimi i Mlladiqit është vendim historik, ata që kryejnë krime do të mbajnë përgjegjësi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka reaguar pasi Dhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara në Hagë konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj kriminelit serb, Ratko Mlladiq, duke e quajtur këtë vendim historik, raporton Gazeta Express.

Në një deklaratë me shkrim, Biden tha se vendimi i sotëm tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi.

“Pothuajse 26 vjet më parë, Ratko Mlladiq urdhëroi ekzekutimin e rreth 8,000 burrave dhe djemve të paarmatosur në Srebrenicë. Ai gjithashtu udhëhoqi një rrethim brutal shumë-vjeçar të Sarajevës dhe ishte përgjegjës për shumë krime të tjera. Mekanizmi Ndërkombëtar i Apelit i Kombeve të Bashkuara për Gjykatat Penale në Hagë konfirmoi sot dënimin e tij për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ky verdikt historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Ai vendim gjithashtu përforcon vendosmërinë tonë të përbashkët për t’i parandaluar mizoritë e ardhshme kudo në botë”, tha Biden, ka përcjellë Shtëpia e Bardhë.

Paraprakisht, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka mirëpritur vendimin e Dhomës së Apelit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për t’ia konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm, kriminelit serb, Ratko Mlladiq.

“Ambasada e SH.B.A.-së në BiH mirëpret vendimin e sotëm nga Dhoma e Apelit e Mekanizmit Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për Gjykatat Penale që pohon dënimin e Ratko Mlladiqit. Vendimi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt llogaridhënies së atyre individëve përgjegjës për vuajtjet e jashtëzakonshme të popullit të Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa sjell një masë të drejtësisë të shumëpritur për viktimat dhe familjet e tyre. Ne i nxisim të gjitha palët që ta respektojnë vendimin e gjykatës dhe të përkushtohen në pajtimin e vazhdueshëm dhe bashkëjetesën paqësore thelbësore për të ardhmen e një Bosnje e Hercegovine të qëndrueshme dhe të sigurt që mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Dhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara e ka dënuar me burgim të përjetshëm kriminelin serb, Ratko Mlladiq, duke konfirmuar vendimi i shkallës së parë.

Kryetarja e trupit gjykues, Prisca Matimba Nyambe deklaroi konstatimin e Dhomës së Apelit se Mlladiq nuk ka mundur ta hedhë poshtë përfshirjen e tij në krimet makabre.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?