Lajme

Besnik Tahiri e jep lajmin e madh: Kosovarët sivjet do t’i tërheqin paratë nga Trusti

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet që qytetarët të kenë qasje në llogaritë e tyre në Trustin Pensional të Kosovës.

“Pas kalimit të Ligjit për Rimëkëmbje sot në Kuvend, është hapur rruga që qytetarët t’i tërheqin mjetet e tyre nga Trusti Pensional”, ka thënë Tahiri në “Imazh” të RTK-së.

I pyetur se sa do të zgjasë tash procedura e hyrjes së Ligjit në fuqi dhe kohës së kur qytetarët mund t’i tërheqin paratë nga Trusti, Tahiri ka thënë se fillimisht pritet dekretetimi i Ligjit nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani dhe publikimi në fletoren zyrtare, e më pas menjëherë fillon tërheqja.

“Kjo do të ndodh sivjet, pra qytetarët sivjet mund t’i tërheqin mjetet e tyre. Unë e kam takuar edhe drejtorin e Trustit, Ardian Zallin dhe ata i kanë bërë përgatitjet e nevojshme që tërheqja të fillojë menjëherë pas dekretimit të ligjit. Qytetarët do të kenë qasje në një portal të Trustit, ku do të japin të dhënat e tyre personale si numri i letërnjoftimit dhe xhillogaria bankare dhe paratë ju dalin në bankë”, ka thënë Tahiri.


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?