Lajme

Berisha: Kosovës i duhet një president që kur ndërron koha i dhemb trupi prej plagëve

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka thënë në Kuvend se Kosovës i duhet një president që i dhemb trupi nga plagët kur ndërron koha.

Berisha ka deklaruar gjithashtu se Hoti ka bërë mirë që ka shkarkuar Task-Forcën.

“Kryeministër sa i përket shkarkimit të Task-Forcës, mirë ia ke bë, ka qenë shkarkim me vend. Arsyet për këtë i kam artikuluar dhe asnjë fjalë më shumë se kam ndërmend me fol për këtë temë. T’ua rikujtoj që shefi i kësaj Task-Force është arrestuar për korrupsion. Kosova veç në luftë ka qenë më keq se tani. Vendi është ka vlon. Unë të kam votuar ty kryeministër se mendoj se je intelektual i këtij vendi, se ki guxim. Tash, në këtë situatë të gjithë këta deputetë i pyeta a po bëheni president, të gjithë thanë po. Nuk ka as polic të Kosovës që me i thanë a po bëhesh president, nuk thuan jo. Ahmet Zogu thoshte, dikur se jam mbret i 2 milionë mbretërve, e Shqipëria ishte pus”, ka thënë Berisha.

Ai ka thënë se Kosovës i duhet një njëri me kredibilitet kombëtar, e që i dhemb trupi prej luftës.

“Të nderuar deputetë, jemi vend i dalë prej një lufte 100-vjeçare, një popull që e ka përjetuar gjenocidin e terrorin. Unë nuk ankohem e as nuk vajtoj por më dridhet trupi kur i mendoj gjithë ata të vramë. Shumë prej burrave që folshin për patriotizëm, nuk guxonin me u taku me presidentin Trump. E di që të gjithë në Hagë janë të pafajshëm. Daçiqi e Vuçiqi, këlyshët e Millosheviqit po na kërcënojnë me luftë. Vendit tonë i duhet një njeri me kredibilitet kombëtar. E kuptoj merakun dhe qejfin e secilit me dal në atë pozitë, por duhet që dikush t’i dalë në zot vendit edhe me jetën e vet. Për Kosovën tani duhet me dal dikush që kur ndërron koha i dhemb trupi prej plagëve. Kosovës i duhet një president, dikush që kur kalon edhe kah varrezat civile, mendon për anetarët e vet të familjes që për këtë liri i ka në varrë. Dikush i cili të shikon në dritë të syrit, e të thotë po ose jo. Dikush që e pranon mendimin ndryshe të secilit intelektual, Dikush që është i drejtë, i nënshtrohet drejtësisë sa herë të ketë nevojë, dhe flamurin e shtetit e mban lart”, tha ndër të tjera Berisha.


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?