Lajme

Berisha demanton Shaqirin: Kosovari që vdiq në Serbi nuk është varrosur, spitali ende në pritje që dikush ta tërheq kufomën

Kryetar i Amzës së Shqiptarëve në Serbi, Demo Berisha, është shprehur mjaft i shqetësuar me deklaratat e e Xhelal Shaqirit nga zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, se shtetasi i Kosovës nga komuniteti egjiptian me emrin Imer Kerelaj, nga Gjakova, i cili kishte vdekur muajin e kaluar në Serbi, është varrosur në varrezat e personave të paidentifikuara në Novi Sad, raporton Korrespodenti.

Këto deklarata të Xhelal Shaqirit u transmetuan mbrëmë në edicionin e lajmeve të mbrëmjes në KTV.

Berisha ka hedhur poshtë deklaratat e Shaqirit, duke thënë se trupi i të ndjerit Imer Kerelaj është duke qëndruar ende në Spitalin Krahinor të Vojvodinës në Novisad, duke pritur që dikush nga familjarët të lajmërohet dhe ta tërheqë nga spitali.

Kryetar i Amzës së Shqiptarëve në Serbi, Demo Berisha.

Pas raportimit të Korrespodentit, shumë persona janë lajmëruar si në redaksinë e gazetës, poashtu kanë kontaktuar edhe Demo Berishën, mirëpo, ende nuk është paraqitur ndonjë i afërm i të ndjerit që ta tërheqë kufomen nga Spitali Krahinor i Vojvodinës në Novisad.

Shtetasi i Kosovës, tashmë i ndjeri Imer Kerelaj kishte shkuar në Vojvodinë për të punuar. Ai ishte sëmurë dhe kishte shkuar në Spitalin Krahinor të Vojvodinës në Novisad për t’u shëruar, ku pas tri dite ka vdekur.

Kryetar i Amzës së Shqiptarëve në Serbi, Demo Berisha, ka bërë apel nëse dikush njeh familjen e tij në mënyrë që të bie në kontakt me ta për kthimin e tij për t’u varrosur në Kosovë./ Korrespodenti


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?