Lajme

Bekim Jashari tërhiqet nga politika, tregon arsyet dhe dëshpërimin me situatën në vend

Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka njoftuar se do të tërhiqet nga politika. Ai ka dhënë disa arsye që e quan deri te ky vendim. Përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, Jashari tha se këtë vendim e ka marrë në koordinim të plotë me familjen e tij.

„Të dashur bashkëkombas, gjithë angazhimin tim për qytetarët e Skenderajt e kam bërë vetëm për një qëllim, t’i shërbej në paqe sikur i shërbyen të rënët në luftë dhe për këtë do të krenohem unë edhe çdo mbështetës e votues i imi deri në vdekje“, shkroi mes tjerash, Jashari.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Jasharajt:

Të dashur qytetarë, bashkëpunëtorë dhe mbështetës,

Duke kërkuar mirëkuptimin e secilit prej jush, ju njoftoj që kam vendosur që nga sot edhe zyrtarisht të pushoj aktivitetin tim politik në Skenderaj.

LEXO EDHE:  Humbi jetën duke shpëtuar një fëmijë, gruaja e Ademit: Ishte lajmi më i rëndë në jetën time, mbështetja e madhe po na lehtëson dhimbjen

Këtë vendim e kam marrë në koordinim të plotë me familjen time, për disa arsye:

E para, asnjëherë në jetën time nuk kam pasur pretendime për të marrë pozita politike dhe pushtet por njëkohësisht nuk i kam ikur dhe nuk do t’iu iku asnjëherë përgjegjësive për t’i shërbyer vendit, në jetësim të amanetit të heronjve, dëshmorëve e martirëve të Lirisë;

E dyta, pas përfundimit të mandatit tim të parë si kryetar i Skenderajt, i hyra gares edhe për një mandat, duke prezantuar projektet e realizuara dhe programin qeverisës për mandatin e dytë. Këtë e kam bërë në formën më demokratike, në emër të gares fer dhe respektim të ligjit për çka edhe kemi punuar e luftuar me shekuj.

Nuk e kisha besuar që individ të caktuar do të degradonin gjithçka, duke shpifur, shantazhuar, blerë e manipuluar vullnetin qytetar, vetëm e vetëm për të përfituar pushtet dhe ndikim të pamerituar.

LEXO EDHE:  Njihuni me “Papi Chulon” problematik të Prishtinës

Pavarësisht gjithë asaj lufte, ishin rreth 10,000 votues që qëndruan të palëkundur dhe para tyre do të jem gjithmonë mirënjohës dhe falënderues;

E treta, në këtë situatë aspak të favorshme në të cilën gjendemi si shtet duke u nisur nga formimi i asociacionit, inflacioni, varfëria, papunësia, migrimi i të rinjve e sfida tjera, mbetet imediate nevoja për t’u unifikuar si spekter politik, për të përmbyllur procese e për të zhvilluar shtetin tonë;

E katërta, në këto rrethana se si zhvillohet politika te ne, si organizohen grupe të caktuara partiake dhe të interesit, duke përvetësuar çdo mjet propagandues, duke shkatërruar e manipuluar gjithçka vetëm për të arritur interesa grupore e individuale, prania ime në politikë, në këtë momentum të tillë nuk mund të vazhdojë.

LEXO EDHE:  Digjet një veturë në Autostradën “Ibrahim Rugova”

Të dashur bashkëkombas, gjithë angazhimin tim për qytetarët e Skenderajt e kam bërë vetëm për një qëllim, t’i shërbej në paqe sikur i shërbyen të rënët në luftë dhe për këtë do të krenohem unë edhe çdo mbështetës e votues i imi deri në vdekje.

Opozitën konstruktive në Skenderaj do të vazhdojnë të bëjnë asambleistët e listës së pavarur “Ideal”, së bashku me ish bartesin e listes, Nuredin Lushtaku si udhëheqës i përkohshëm, deri në zgjedhjen e strukturave drejtuese në muajt në vazhdim, duke i dhënë hapësirë secilit qytetar që mendon ndryshe dhe e sheh të domosdoshëm ndryshimin në Skenderaj.

Në fund më lejoni që të falënderoj secilin mbështetës dhe bashkëpunëtor nga Skenderaj dhe çdo shqiptar që asnjëherë nuk ndalen së nderuari e respektuari mua dhe familjen time.

Mirëupafshim!