Lajme

BE’ja ia bën me dije Kurtit: Vizat hiqen vetëm kur të plotësohen kushtet

Albin Kurti po kërkon që të shpërblehet me liberalizim të vizave nga Bashkimi Evropian para Samitit të Zagrebit. Këtë favor kreu i Qeverisë po e kërkon nga Brukseli pas vendimit për heqje të pjesshme të taksës 100 % ndaj produkteve me origjinë nga Serbia e Bosnje e Hercegovine.

Megjithatë nga BE’ja kujtojnë se vendimi për heqjen e regjimit të vizave merret mbi bazën e përmbushjes së kushteve të cilat janë paracaktuar qysh në vitin 2012.

S’ka asnjë lidhje ndërmjet liberalizimit të vizave me heqjen e taksës. Kjo është përgjigja e BE’së që i ka dhënë kërkesës së Albin Kurtit, i cili të enjten mbrëma kërkoi heqjen e vizave në këmbim të heqjes së taksës.

Një zyrtare e BE’së i ka thënë Gazetës Express se liberalizim të vizave bazohet në përmbushjen e një sërë kushteve legjislative dhe institucionale, të cilat janë vendosur në udhëzuesin për liberalizim të vitit 2012.

“Vendimi për liberalizim të vizave bazohet në përmbushjen e një serie kushtesh legjislative dhe institucionale, siç janë prezantuar në udhëzuesin e liberalizimit të vizave në vitin 2012”, thuhet në përgjigje.

Përveç kësaj gjasat që të merret një vendim për liberalizim para muajit maj janë minimale.

Siç potencohet nga Bashkimi Evropian çështja e heqjes së regjimit të vizave për Kosovën vazhdon të mbetet në nivel teknik dhe se tash për tash as që planifikohet të diskutohet për një temë të tillë.

“Diskutimet për liberalizimin e vizave për Kosovën kanë mbetur në nivel teknik brenda Këshillit. S’mund të spekuloj se kur mund të diskutohet apo të merret vendim. Megjithatë unë mund të konfirmoj se nuk janë planifikuar diskutime rreth kësaj teme për momentin”, ka thënë kjo zyrtare e BE’së për Gazetën Express.

Gjithashtu kjo zyrtare ka thënë se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një prej reformave që është vendosur në udhëzuesin për liberalizim të vizave.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten derisa ka prezantuar planin e tij për heqjen në dy faza të taksës 100 % ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, ka kërkuar që një lëvizje të tillë ta vlerësojë lartë Bashkimi Evropian dhe t’ia ofrojë Kosovës lëvizjen e lirë në Zonën Schengen. Kryetari i Qeverisë ka kërkuar liberalizim të vizave para Samitit të Zagrebit që do të mbahet më 7 maj.

“Bashkimi Evropian ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për ta hequr tarifën prej 100%, duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020”, ka thënë Kurti teksa ka prezantuar të enjten në Prishtinë planin e tij për heqje të taksës fillimisht për lëndën e parë e më pas edhe për të gjitha produktet nëse Serbia sillet mirë dhe ndalon fushatën e çnjohjeve.

Komisioni Evropian vite më herët kishte konfirmuar se Republika e Kosovës ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave. Por shtetet anëtare  të BE’së tashmë vlerësojnë se Kosova ende nuk i ka plotësuar kushtet për të marrë liberalizimin e vizave.

Një qëndrimet e tillë e mbanë Franca bashkë me disa shtete të tjera. Nga Parisi zyrtar theksojnë se duhet të bëhet përparim i prekshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kosova aktualisht në procesin e liberalizimit të vizave ka mbështetje të fortë nga Gjermania, gjithashtu dhe nga Kroacia shtet që aktualisht është duke kryesuar me presidencën e BE’së./GazetaExpress/