Lajme

Bëhen bashkë Rama e Qosja, thonë se urrejtja ndaj Shqipërisë do ta dëmtojë Kosovën

Akademiku Rexhep Qosja përmes një shkrimi në rrjetin e tij social në Facebook është shprehur se urrejtja shoviniste që po bëhet ndaj Shqipërisë nga masmediat e Kosovës, do të ketë pasoja të mëdha. Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpërndarë postimin e Qosjes, duke e përkrahur.

Qosja ka shkruar se një propagandë të tillë urrejtëse që është me motive jo vetëm politike por gjerësisht e organizuar dhe e strukturuar, nuk e kanë bërë as Nikolla Pashiq, Aleksandar Rankoviq e Slobodan Millosheviq.

“As kryeministri i Serbisë mbretërore, Nikolla Pashiqi, as ministri i Sigurimit të Brendshëm Shtetëror të UDB-së së Serbisë dhe Jugosllavisë Komuniste, Aleksandër Rankoviqi e as kryetari i Serbisë pseudodemokratiko-fashiste, Sllobodan Millosheviqi, që aq shumë e kanë dëshiruar zhbërjen e shtetit shqiptar, nuk kanë propaganduar kaq haptas, kaq botërisht, aq urrejtje shoviniste kundër Shqipërisë sa e si po propagandon Masmedia e Prishtinës”, ka shkruar Qosja.

Ndërsa kryeministri Rama nuk pajtohet vetëm në një pikë me akademikun Rexhep Qosja, ku sipas Ramës nuk është vetëm organizim i strukturuar propagandistik por një ofensivë e egër pushtuese e hapësirës publike të komunikimit, që me vulgaritet e shpifje, ka nisur ta dëmtojë keq vetë Kosovën.

“Në një pikë nuk jam dakord me Rexhep Qosen! Kjo urrejtje e organizuar shoviniste ndaj Shqipërisë, siç ai e quan, nuk është thjesht një organizim mjetesh politike, mediatike e financiare, sa të paskrupullta aq edhe të errëta, e cila sipas Rexhep Qoses, mund të sjellë pasoja në marrëdhëniet mes të dy shteteve shqiptare, por një ofensivë e egër pushtuese e hapësirës publike të komunikimit, që me vulgaritetin, shpifjet dhe dritëshkurtësinë e saj, ka nisur ta dëmtojë keq vetë Kosovën”, ka shkruar Rama.

Ndryshe, Rama njihet si kryeministër i ashpër dhe arrogant ngaj medieve, ku shpesh herë edhe i ka quajtur kazan./ Gazeta Sinjali/