Lajme

Bashkimi Evropian i dhuron Kosovës 95 mijë vaksina antiCOVID

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit, në këtë takim Osmani theksoi falënderimin për sigurimin e 95 mijë vaksinave antiCOVID nga ana e BE-së për qytetarët e Kosovës.

“Sigurimi i vaksinave është prioriteti kryesor për institucionet e vendit, andaj jemi tejet falënderues për sigurimin e 95 000 vaksinave nga ana e BE-së për qytetarët tanë. Është shumë e rëndësishme të kuptohet me seriozitet dhe të komunikohet qartë gjendja e rëndë me pandeminë në vendin tonë, në mënyrë që kjo të reflektohet në kriteret përcaktuese për ndarjen e vaksinave përmes nismave si kjo e BE-së dhe ajo e COVAX-it”, ka thënë Osmani.

Në takim, Osmani theksoi se pret bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e BE-së dhe përkrahje nga aleatët evropian rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke garantuar përkushtimin e institucioneve në vend për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Në këtë kontekst, Osmani tha se edhe BE-ja duhet t`i përmbushë obligimet që dalin nga kjo marrëdhënie kontraktuale.

Palët diskutuan edhe për nevojën për reformim të sistemit zgjedhor në vend, përgatitjet për zgjedhjet lokale, teksa u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë drejt avancimit të Republikës së Kosovës në rrugën e integrimit evropian.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?