Lajme

Basha: Nuk pendohem për ato që ia thashë Jasharajt

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka thënë se nuk pendohet për përplasjen verbale që pati të mërkurën me kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj gjatë mbledhjes së komisionit parlamentar për Arsim.

Në emisionin “Sonte me Rronin” në KTV, të mërkurën, Basha ka thënë se s’mund të jetë i qetë kur 300 mijë fëmijë kanë mbetur në shtëpi, ndërkohë që siç ka thënë, SBASHK-u nuk lëshon pe për 50 euro.

“Jo se s’kam çka të pendohem, ata që më kanë votuar e dinë natyrën time të qasjes ndaj problemeve. I marr qasjet pak më personale se që janë po ky jam unë. S’po mbërrijmë t’i qojmë fëmijët në shkollë sepse kryesia e SBASHK-ut ka ngri krye se i do 50 euro më shumë. Janë 50 që i marrin kesh dhe 50 të tjera u vijnë në forma të tjera që gjithashtu janë investim në arsim, mirëpo këta nuk po i marrin ashtu”, ka thënë Basha.

Basha ka shtuar se përplasja me Jasharajn ka ndodhur pasi sipas tij, ai ka kërkuar që atij të mos i jepet fjala gjatë mbledhjes së komisionit.

“Ky thotë mos ja jep fjalën Dimalit, kjo flet për mentalitetin që ky njeri e ka të instaluar në rrethin ku ai punon”, është shprehur Basha.

Kryetari i SBASHK-ut, Jasharaj, e ka lëshuar të mërkurën mbledhjen e komisionit, pasi deputeti Basha e ka akuzuar atë se e ka kthyer dinjitetin në para.