Lajme

Azerbajxhani: Helikopteri rus u rrëzua aksidentalisht

Azerbajxhani ka njoftuar se aksidentalisht ka rrëzuar një helikopter ushtarak rus pranë kufirit me Armeninë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Pala azerbajxhanase i kërkon falje palës ruse për këtë incident tragjik, i cili është aksidental dhe nuk është drejtuar kundër palës ruse”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Azerbajxhanit.

Në njoftimin e ministrisë theksohet se Azerbajxhani është i gatshëm të “paguajë kompensimin e duhur”.

Njoftimi i Azerbajxhanit vjen pasi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se helikopteri Mi-24 që shoqëronte një autokolonë ushtarake ruse u godit nga një raketë në Armeni, duke lënë të vrarë dy persona në bord.

Rusia njoftoi se helikopteri u rrëzua nga një raketë në Yerask, afër kufirit midis Armenisë dhe rajonin autonom Nakhchivan të Azerbajxhanit.

“Helikopteri po fluturonte afër kufirit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në një lartësi të ulët në errësirë gjatë betejave aktive ushtarake”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Azerbajxhanit, duke shtuar se fluturimi po kryhej jashtë zonës së zbulimit të radarëve të sistemit të mbrojtjes ajrore. 

Më tej, thuhet se asnjë helikopter i forcave ajrore ruse nuk ishte vërejtur më parë në atë zonë.

Po ashtu Azerbajxhani u shprehu ngushëllimet më të thella familjeve të anëtarëve të ekuipazhit të vrarë dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?