Lajme

Arben Vitia flet pas lajmit se mund të ketë sulm në një nga spitalet e Kosovës

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur për sigurinë e pacientëve, pas një kërcënimi për sulm në një nga spitalet e Kosovës, që ka marrë sot Policia e Kosovës, raporton Gazeta Express.

Sipas Vitisë, pacientët janë të sigurt.

“Pacientët natyrisht janë të sigurt, ne bashkë me bordin dhe drejtorin e SHSKUK-së kemi pasur disa takime ku kemi biseduar që përcjellja e familjareve nëpër spitalet tona nuk duhet të jetë më shumë se një. Për momentin duhet respektuar të gjitha masat dhe duke pasë parasysh se për një kohë fatkeqësisht këto masa nuk janë respektuar aq sa duhet, ne i kemi marrë masat që mos të jetë edhe institucioni shëndetësor një nga shpërndarësit e virusit”, ka thënë Vitia.

Ndryshe përpos Prishtinës, masa të rrepta po zbatohen edhe në veri të Mitrovicës, ku që nga mëngjesi i sotëm, pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë duke bërë kontrolle të rrepta për automjetet që hyjnë në zonën e Qendrës Spitalore në Mitrovicën e Veriut.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti, ka thënë për portalin serb në Kosovë, “Kosovo Online” se pjesëtarët e Policisë janë mobilizuar në gjithë Kosovën për t’i siguruar spitalet.

“Policia u kontaktua nga një person i cili kërcënoi të sulmonte dikë në spital, por pasi që ky person nuk tregoi se kush ishte dhe në cilin qytet do të kryente sulmin, Policia, për arsye parandaluese, po siguron spitalet në të gjithë Kosovën derisa të zbulojmë më shumë informacion”, tha Hoti.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?