Lajme

Anulohet projekti për ndërtimin e lagjes luksoze afër liqenit të Badovcit

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka marrë dy vendime të rëndësishme të premten. I pari, të cilin edhe e ka bërë vet publik, është për anulimin e tenderit 110 milionësh për autostradën e Anamoravës.

Gazeta Infokus nga burime brenda Komunës së Prishtinës, ka marrë vesh se Abdixhiku ka nënshkruar edhe një vendim tjetër, të cilin jo pak qytetarë do ta mirëpresin.

Ai ka anuluar vendimin e shumëpërfolur për ndërtimin e lagjes në afërsi të liqenit të Badovcit.

“Obligohet Komuna e Prishtinës për anulimin e vendimit … të datës 20.12.2019 për Kushtet ndërtimore për rastin e kërkesës së ndërtimit të lagjes në afërsi të Badovcit”, thuhet në vendim.

Kështu i është dhënë fund tentimit pa leje të kompanisë “KAWA Group” dhe kompanisë projektuese “4m Group” të ndërtojnë 17 vila luksoze në tokën e Rahman Haradinit, përgjatë liqenit të Badovcit.

Më të zëshmit kundër këtij ndërtimi kanë qenë Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit që në ‘Facebook’ numëron rreth 24 mijë anëtarë.

Ata ka dalë me pesë kërkesa për Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Ambientit, në lidhje me ndërtimet në Liqenin e Badovcit, duke kërkuar që të anulohet çfarëdo vendimi që rrezikon këtë pasuri ujore të vendit.

Sipas zyrtarëve të Komunës së Prishtinë, Kompania e cila planifikonte të ndërtonte vilat nuk kishte leje ndërtimi dhe nuk ka aplikuar fare për leje, po ka aplikuar vetëm për kushte ndërtimore.

Në bazë të të dhënave është gjetur se “KAWA Group” dhe kompania projektuese “4m Group” planifikonin të ndërtojnë 17 vila luksoze në tokën e Rahman Haradinit përgjatë liqenit të Badovcit.

Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, Haradini figuron si pronarë në kompaninë “Lakeside Garden L.L.C.” e themeluar në maj të vitit 2017.

Njëri nga aksionarët e këtij projekti, Fitim Muçaj nga kompania projektuese “4m Group” ka konfirmuar se Haradini është pronar i tokës, ndërsa investimi është i përbashkët me kompaninë projektuese dhe atw ndërtuese.

Ndërkaq, Haradini, i cili është bërë pjesë e projektit problematik, që ende nuk ka marrë as leje ndërtimi, ka një histori të investimeve tjera në Kosovë.

Gazeta Infokus ka gjetur se ai është pronar ose akasionar i së paku pesë bizneseve tw tjera në Kosovë dhe një biznesi në Zvicër, kryesisht që lidhen me restorante dhe klube argëtimi.

Megjithatë, në Kosovë ai është aksionari më i madh në klubin futbollistik Prishtina me 34 për qind të aksioneve, në vlerë prej gjysmë milioni euro.

Në Zvicër, në kantonin e Valisit, Haradini njihet si afarist që merret me operimin e kafeneve, sallave të vallëzimit, shitjes, blerjes, import-eksportit të të gjitha produkteve që lidhen me kafenetë.

Ai aktualisht është bashkë pronar i kompanisë “Ormen SA”, e cila aktivitet kryesor ka kafenetë dhe sallat e vallëzimit.

Ndërkaq, deri në vitin 2006 ishte pronar i klubit të vallëzimit “Shqiponja” në Zvicër, kompani kjo e cila shkoi në likuidim për shkak të obligimeve financiare.