Lajme

Anëtari i Presidencës së Bosnjës kërkon seancë për njohjen e Kosovës

Anëtari kroat i Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Zhelko Komshiq, ka kërkuar që të mërkurën të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kreut Kolektiv të Shtetit mbi propozim-vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, Millorad Dodik, anëtar serb i Presidencës, kërkoi që po nesër të zhvillohet një seancë, ku do të diskutohej nisma për zhvendosjen e ambasadës së Bosnjës nga Tel Avivi në Jerusalem, përcjellë Klan Kosova.

Të mërkurën, në Bosnje arrin zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, i cili do të takohet me anëtarët e Presidencës.

Dodik tha të martën në Mostar se Palmer është i informuar rreth nismës për zhvendosjen e ambasadës së Bosnjës nga Tel Avivi në Jerusalem. Komshiq siç shkruan topchannel, pohoi se ky paralajmërim është “hipokrizi” dhe se në Bosnjë nuk ka njeri që është më kundër interesave amerikane sesa Dodiku.

Dodik është nën sanksione të SHBA-së qysh në vitin 2017 për mosrespektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës për të ndaluar organizimin e një referendumi.