Lajme

Amerika me tri propozime për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi

Është prezantuar një dokument i ri në Washington që përfshin tri zgjidhje të mundshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo që bie në sy është “shkëmbimi i territoreve”, e cila mendohej si një ide tashmë e vdekur.

Mediat serbe shkruajnë të mërkurën, se janë tri propozime mbi tavolinë, prapa së cilave, sipas tyre qëndron njeriu i afërt i ish-presidentit të SHBA-së, Barack Obama.

Sipas këtij dokumenti, që ka siguruar gazeta serbe Blic, theksohet se asnjë prej mundësive “nuk është ideale”.

Propozimi i parë është “stimulimi” i Serbisë, si mbështetja më e madhe e donatorëve dhe përshpejtimi i rrugës drejt BE-së si “kompromis” për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Propozimi i dytë është që të krijohen “enklava” të reja autonome të serbëve në Kosovë, por edhe të shqiptarëve në Serbi. Dhe, propozimi i tretë është të kthehet në tavolinë, ideja e vitit 2018 për shkëmbim të territoreve.

Sipas gazetës Blic.rs, këto janë përfundimet e analizës “Rinisja e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë”, prapa së cilës qëndron grupi ndërkombëtar i krizës i “Think-tank”.

Kryetari i këtij grupi me ndikim në politikat e SHBA-së, është Robert Malley, ish-këshilltar i presidentit të Barack Obama.

Analiza, sipas mediave, thekson ndër të tjera se, zgjidhja e mosmarrëveshjes do të ishte “e dobishme për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë”, por gjithashtu vë theksin se duhet të kërkohet një mënyrë mbi njohjen e ndërsjellë dhe se BE vendet duhet të japin shenja se do të mbështesin çdo marrëveshje.

“Beogradi dhe Prishtina duhet të pranojnë publikisht nevojën për kompromis”, thuhet në analizë, përcjell gazeta Blic.

Më tej, sugjerohet që Brukseli duhet të përqendrohet “në inkurajimin e negociatave në të cilat palët janë të lira të shqyrtojnë çdo zgjidhje që është në përputhje me të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare”.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?