Lajme

“Ambasada në Jerusalem është mundësi që Kosova të tregojë se nuk është e varur nga Turqia dhe BE-ja”

Remi Daniel, ekspert në Institutin e Studimeve të Sigurisë Kombëtare në Izrael ka thënë se vendimi për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, është një mundësi për Kosovën që të tregojë se mund të ketë një politikë të jashtme të pavarur dhe që nuk është e varur nga Turqia ose nga Bashkimi Evropian.

Sipas tij, ndoshta Izraeli nuk ka një hapësirë për të zhvilluar raportore por ekziston një rrugë për të bashkëpunuar përmes zhvillimit ekonomik.

“Po të flasim se çfarë mund të presë Izraeli nga Kosova, duhet të shikoni te raportet midis Izraelit dhe vendeve të ngjashme për nga madhësia me Kosovën. Në përgjithësi, ekziston dimensioni politik që reflektohet kryesisht përmes votimit në organizata ndërkombëtare, por në rastin e Kosovën është paksa e komplikuar pasi nuk është e pranuar në organizatat kryesore ndërkombëtare. Pastaj është dimensioni simbolik dhe mendoj se në këtë aspekt, Izraeli ka përfituar maksimumin e asaj që ka pritur nga Kosova, me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

LEXO EDHE:  Nenad Rashiq: Lista Serbe armikja më e madhe e serbëve të Kosovës

Pra, nga këto dy këndvështrime, ndoshta Izraeli nuk ka një hapësirë për të zhvilluar raporte, por ekziston një rrugë e tretë për të kultivuar raportet që është zhvillimi dhe ekonomia. Ekzistojnë mundësi të shumta për kompanitë izraelite për agjencitë izraelite të zhvillimit dhe ndoshta kjo do të jetë rruga për Izraelin të zhvillojë raportet me Kosovën dhe ndoshta gjithashtu në bashkëpunim edhe me aleatët e rinj të Izraelit, siç janë Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat po ashtu po përfshihen gjithnjë e më shumë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.

Kur pyetet se si e ka parë kërkesën e presidentit turk Recep Tayip Erdogan ndaj kryeministrit kosovar Albin Kurti ta rivlerësojë vendimin për hapjen e kësaj ambasade, kjo është përgjigja e Danielit.

LEXO EDHE:  Gjykata merr vendim ndaj dy të dyshuarve për sulmin në Banjskë

“Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem ka qenë e një rëndësie të veçantë simbolike për Izraelin, pasi Kosova është vendi i parë me shumicë myslimane në botë që hap ambasadën në Jerusalem. Pra, ka krijuar tensione me Turqinë dhe Bashkimin Evropian që kanë mendime të ndryshme për Jerusalemin”, ka shtuar ai tutje.

Ai thotë se mes Kosovës dhe Turqisë ka tensione, për shkak të Lëvizjes Gulen.

“Në rastin e Turqisë ndoshta është interesante të thuhet kjo ka ardhur në kohën kur raportet mes Kosovës dhe Turqisë nuk janë në nivelin më të mirë. Kanë ekzistuar disa tensione mes dy vendeve për shkak të Lëvizjes Gulen, që është armiku kryesor i Erdoganit, disa nga anëtarët e kësaj lëvizjeje janë në Kosovë dhe Erdogan po përpiqet që ta detyrojë Qeverinë e Kosovës që t’i kthejë ata në Turqi, pastaj kemi pasur rastin e kidnapimit të tyre që krijoi tensione me Qeverinë e Kosovës”, tha ai.

LEXO EDHE:  Në Zveçan, qirinj për tre sulmuesit e vrarë të dielën

Megjithatë, Daniel vlerëson se hapja e Ambasadës në Jerusalem i mundëson Kosovës të jetë e pavarur nga Turqia.

“Vendimi për hapjen e Ambasadës në Jerusalem është një mundësi për Kosovën që të tregojë se mund të ketë një politikë të jashtme të pavarur dhe që nuk është e varur nga Turqia ose nga Bashkimi Evropian. Ndoshta gjëja më e rëndësishme që mund të thuhet për këtë është se ka qenë e mundësuar nga përfshirja ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Tash që Trump nuk është më në pozitë, ndoshta hapësira manovruese e Kosovës në raport me Izraelin është më e vogël se në kohën kur është marrë vendimi në fillim të këtij viti”, përfundon ai për REL.