Lajme

“Albin Kurti, kryeministri më i dobët që e ka pasur ndonjëherë Kosova”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur Albin Kurtin, si kryeministrin më të dobët dhe më të papërgjegjshëm, që sipas tij, ka pasur ndonjëherë Kosova.
Thaçi tha se Kurti, nuk ka bërë asnjë të mirë për Kosovën, e as në kohën kur ai ka marr drejtimin e qeverisë.

Kreu i shtetit ka akuzuar Kurti dhe qeverinë e tij, edhe për rastin Dehari.

“Pse është heshtur rasti Dehari. Kishin premtime se kur të vijnë në pushtet do të merren me rastin Dehari, çka kanë bërë deri më tash për këtë rast?. Apo çështjen e oligarkëve, ku mbeten ata. Unë kryeministër më të dobët dhe me të papërgjegjshëm se Kurtin s’kam parë kurrë Është e vërtetë se nuk do të shkarkohet më, sepse s’ka me u zgjedhur më”, tha Thaçi në TV Dukagjini.

Thaçi tha se “regjimi i vjetër”, siç i referohet Kurti, klasës politike në Kosovë, sipas kreut të shtetit, i kanë sjell shumë të mira vendit.

“Ajo strukturë që ka qenë në Kosovë për 20 vite e kanë sjell lirinë, e kanë sjell pavarësinë, e kanë krijuar ushtrinë, e kanë anëtarësuar Kosovën në shumë organizata ndërkombëtare. Po këta të rinjtë çka i kanë sjellur Kosovës. Dhunë, e sulme ndaj institucioneve”, tha Thaçi.

Thaçi: Ku ndodhë në botë që kryeministri të organizojë protesta gjatë pandemisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe njëherë ka përsëritur qëndrimet e tij se Albin Kurti ka uzurpuar zyrën e kryeministrit, si dhe ka shkelur dy herë Kushtetutën e vendit.

Ai tha se njerëz të caktuar, duke përfshirë edhe mediat dhe shoqërinë civile, nuk kanë reaguar ndaj kësaj, pasi sipas tij, ata po frikësohen nga Kurti dhe grupi i tij.

“Kemi të bëjmë me një njeri që ka shkelur dy herë Kushtetutën dhe kemi të bëjmë me një njeri që ka uzurpuar zyrën e kryeministrit dhe po sillet si i jashtëligjshëm. Kemi pasur dy presidentë që kanë shkelur kushtetutën dhe kanë dhënë dorëheqje, kanë treguar përgjegjësi të rëndë. Askush nga shoqëria civile, juve mediave, i faktorit ndërkombëtar, i disa opinionistëve nuk po flasin, sepse janë të shantazhuar nga Kurti dhe grupi i tij. Unë nuk frikësohem sepse mbroj Kushtetutën, mbroj demokracinë dhe shtetin”, tha Thaçi në TV Dukagjini.

Ai tha se Kurti po synon revolucion ideologjik.

“Ata drejtësinë e matin me kutin e vet, pra vetëm kur atyre u përshtatet. Kemi një njeri që tash për fat të keq është mbyllur në zyrën e kryeministrit dhe nuk shikon me i përmirësu institucionet e vendit, por ato i përdor për interesa të veta. Ku ndodhë në botë që gjatë pandemisë që vet kryeministri me organizu protestë, kundër institucioneve që vet ai është brenda. /Objektiv/