Alarmon drejtori i Klinikës Infektive: Kosova para një vale të re me COVID-19
Numri i rasteve të reja me këtë virus po rritet çdo ditë, ku vetëm nga e hëna e deri të mërkurën janë regjistruar 660 raste të reja.
Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, ka thënë për Gazetën Infokus, se jemi para një vale të re me COVID-19.
“Jemi në fillimin e një vale të re, të shpresojmë të jetë me e lehtë”, ka deklaruar Vishaj.
Gjithashtu, ai ka konfirmuar se në Klinikën Infektive aktualisht janë duke u trajtuar tetë pacientë, ku dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe janë duke u trajtuar nën kujdesin intensiv.
“I kemi 8 pacientë në repart, 2 në intensivë”, ka thënë Vishaj.
Kujtojmë se të mërkurën janë regjistruar edhe 341 raste të reja.
Kurse nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Infokus kanë thënë që së shpejti pritet që të thërrasë, Komitetin për Koordinim dhe Vlerësim për COVID-19 për të rishikuar masat e deritashme pas rritjes alarmante të numrit të rasteve pozitive me këtë virus në vend.
“Të gjithë trupat relevante në gatishmëri dhe reagim ndaj COVID-19 janë në konsultime të vazhdueshme. Sipas nevojës do të thirret së shpeti mbledhja e radhës”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Po ashtu nga kjo ministri kanë bërë të ditur se ndryshimi i masave do të bëhet me rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë në vend.
“Ndryshimi eventual i masave do të dal nga rekomandimet e ekspertëve. Masat aktuale në fuqi, rekomandojnë bartjen e maskës në mjedise të mbyllura dhe krahas kësaj inkurajojnë vaksinimin”, thuhet tutje në përgjigje nga kjo ministri.
Ndërsa, kanë theksuar se nga Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës po bëjnë një analizë të situatës me një fokus të veçantë në vendet e rajonit.
“Situata me COVID-19 përcillet në baza ditore. IKShPK përveç grumbullimit të të dhënave, analizon edhe të dhënat dhe trendet nga vendet tjera, me fokus të veçante në vendet e rajonit tonë, si dhe shtetet ku kemi mërgatë”, kanë thënë nga MSH për Infokus.
Ndërkaq, ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë sa më të kujdesshëm dhe të vaksinohen.