Lajme

Alarmante: 24 mijë qytetarë lëshuan punën për një vit në Kosovë, shumica morën viza

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se në kompanitë dhe institucionet e Kosovës kanë lëshuar punën mbi 24 mijë qytetarë.

Rukiqi në një konferencë për media gjatë publikimit të indikatort matës së klimës të biznesit në Kosovë për tremujorin e dytë të vitit, ka supozuar se një pjesë e madhe e njerëzve kanë marrë viza pune dhe këto vende të punës nuk janë zëvendësuar nga kompanitë.

“Që nga tremujori i tretë i vitit 2017 e deri tash Kosova ka humbur 24 mijë e 100 vende të punës. Këtë e keni zyrtarisht në tabelat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Supozimet janë që një pjesë e madhe e njerëzve kanë marrë viza pune dhe këto vende të punës nuk i kanë zëvendësuar kompanitë. Ka edhe një supozim tjetër se duke mos pasur parashikushmëri të duhur sa i përket procesit të liberalizmit të vizave ose duke pasur një hezitim për me krijuar vende të punës për shkak për çdo rast të liberalizimit të vizave, shumë kompani kanë drojën që një numër i madh i njerëzve do të largohen”, theksoi ai.

Gjatë publikimit për indikatorin e matjes së klimës të biznesit, Rukiqi ka thënë se në çdo indikator ka pakënaqësi dhe përkeqësim të gjendjes së bizneseve në tremujorin e dytë të këtij viti.

Sipas tij, tri barrierat kryesore mbesin konkurrenca jolojale, mungesa financiare dhe ekonomia informale.

“Në çdo indikator në këtë tre mujor kemi ulje të nivelit të kënaqshmërisë së bizneseve dhe ulje të pritjeve për gjashtë mujorin e ardhshëm. Kjo nënkupton se kemi përkeqësim të gjendjes së bizneseve. Kjo reflektohet edhe në të dhënat, ku nga 43 përqind sa kanë qenë në tre mujorin paraprak të bizneseve që kanë pasur pritje pozitive, në këtë tre mujor kemi 34 përqind”, theksoi Rukiqi.

Derisa Rukiqi nuk ka treguar për shumën e mjeteve që janë vjedhur në këto shtatë raste, por ka thënë se Kosova nuk e ka imazhin e mirë, dhe nëse vazhdohet kështu mund të ndikojë në tërheqjen e investimeve të huaja.

Drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës shfaqën edhe një shqetësim tjetër për rritjen e krimit të organizuar ose për shtimin e numrit të grabitjeve dhe vjedhjeve në biznese, veçanërisht në sektorin bankar.

Rukiqi duke mos treguar për shumën e mjeteve të vjedhura, tha se prej mesit të muajt gusht e deri në fund të muajt shtator, kanë ndodhur shtatë vjedhje vetëm nëpër banka komerciale.

“Vetëm prej 15 gushtit deri para një jave kanë qenë shtatë grabitje në pikë të ditës, të cilat kanë krijuar mjaft shqetësime, për shkak se një pjesë e bankave kanë edhe kapital të huaj. Normalisht që për një kompani të huaj është e pakuptueshme që brenda ditës ose për një periudhë të shkurt kohore të ndodhë një numër i madh i grabitjeve dhe të rritet pasiguria ndaj bankave dhe bizneseve në përgjithësi”, theksoi kreu i OEK-ut.

Rukiqi ka shtuar se një numër i madh i vjedhjeve ka ndodhur edhe në shumë biznese të vogla, sidomos në rajonin e Prishtinës dhe në rajone të tjera.

Për këtë fenomen shqetësues, ai tha se do t’i drejtohen me shkrim Policisë së Kosovës, prokurorisë dhe gjykatave për trajtimin e rasteve të vjedhjeve me prioritet.