Lajme

Aksident i rëndë në Gjakovë, vetura bie në humnerë rreth 8 metra- Policia e Kosovës jep informacione

Sot në orët e mëngjesit ka ndodhur një aksident trafiku në fshatin Fshaj të Gjakovës, ku një veturë ka rënë në humnerë. Nga ky aksident kanë mbetur të lënduar dy persona.

Kështu kanë bërë të ditur për Sinjalin nga Policia rajonale në Gjakovë dhe kanë njoftuar se si ka ardhur deri te aksidenti.

“I dyshuari kishte qenë duke ngasur automjetin në rrugën Gjakove-Xerxë dhe kur arrin në fshatin Fshaj, pikërisht në vendin ku rruga ishte me kthesë dhe urë, nga pakujdesia dhe duke mos ju përshtatur shpejtësisë së lëvizjes, kushteve dhe rrethanave të rrugës, papritmas e humb kontrollin mbi automjetin e tij. Në ato momente del nga rruga në anën e djathtë të drejtimit të lëvizjes duke u rrokullisur me automjet dhe bie në humnerë në lartësi rreth 8 metra nga rruga. Si pasojë shkaktohen dëme materiale dhe në automjetin e aksidentuar lëndime trupore marrin dy bashkudhëtarët“, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Sipas Policisë, të lënduarit pas aksidentit me ndihmën e kalimtarëve të rastit dërgohen në Emergjencën e Spitalit në Gjakovë ku pas kontrollit mjekësor, dërgohen në repartin Ortopedik për trajtim të mëtutjeshëm.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?