Lajme

Ahmeti: Sa e njoh Albinin, ai nuk heq dorë nga kryeministri

Lideri i PSD-së, Shpend Ahmetika deklaruar se në bazë të përvojës së tij në të kaluarën, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti nuk heq dorë nga pozita e kryeministrit.

Ahmeti ka pohuar se po të mos ishte ky kusht i Vetëvendosjes, kjo parti do të ishte në qeveri në vitin 2017 dhe shtoi se po të mos ishin ndarë, tani Vetëvendosje do t’i kishte 45-47 deputetë.

Lideri i PSD-së ka pohuar se as LDK nuk do të heq dorë nga kandidimi i Vjosa Osmanit për kryeministre. Po ashtu ai ka shtuar se nuk di asnjë shembull ku LDK dhe LVV kanë qenë në qëndrime të njëjta politike. Ahmeti ka treguar se Isa Mustafa i ka thënë se nëse ndodh një PAN i dytë, do të insistonte që të krijohej një koalicioni gjerë, përfshirë dhe Vetëvendosjen, në mënyrë që të dilnin fitues në zgjedhje.

Sa i përket taksës me Serbinë, lideri i PSD-së ka theksuar se SHBA-ja kishte kërkuar që të pezullohet taksa, ndërsa sipas tij Kosova do të mund të kërkonte nga Serbia që të ndalë aktivitetin e saj kundër njohjes së Kosovës, të mos e pengonte anëtarësimin në Interpol dhe do të mund të kërkohej ndihmë ushtarake nga SHBA-ja.

“Haradinaj e ka mbajtur taksën për ta kaluar kohën, pasi mbaheshin zgjedhjet për Parlamentin Evropian, por edhe do të pengohej vazhdimi i dialogut mes treshes, Mogherini, Thaçi dhe Vuçiqi”, ka thënë ai në një intervistë për RTV Dukagjini./Sinjali/