Ahmeti reagon pas dyshimeve se u kërcënua nga trajneri Tovërlani që ishte i dehur
Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka reaguar pas arrestimit të trajnerit të futbollit Afrim Tovërlani i cili dyshohet se kishte shkuar tek shtëpia e tij për ta kanosur.
Ahmeti tha se nuk ka pasur ballafaqim fizik mes tyre, derisa thotë se Tovërlanin e ka mik.
“Falemnderit të gjithëve për pyetjet e kujdesin. I pash edhe titujt ne portale. Nuk ka pas kurfarë ballafaqimi fizik e as luftë më thika. Afrimin e njoh moti dhe e kam mik”
I pari i Prishtinës deklaroi se Tovërlani mbrëmë kishte qenë tek shtëpia e tij kur ai nuk kishte qenë prezent dhe më pas vetë e kishte thirrur policinë të cilët edhe e kanë arrestuar.
“Ka qenë mbrëmë të shtepia kur nuk kam qenë unë dhe e ka thirr vetë policinë e cila me të arritur e ka arrestuar. Nuk ndihem as i kërcënuar e as i rrezikuar nga Afrimi edhe pse vizitat e vona në shtëpi kur nuk jam prezent dhe me fëmijë të mitur prezent nuk janë të mirëseardhura. Mirëpo, nuk ka pas as fjalosje e as ndonjë fjalë të rëndë me fëmijet dhe familjen. Shpresoj që këtë incident Afrimi ta sqaroj e kaloj sa më lehtë me organet e rendit. Duke e pas mik qe një kohë të gjatë nuk besoj që ka pas qëllim të sulmit apo kërcënimit”.
Klan Kosova ka raportuar se trajneri i futbollit Afrim Tovërlani është arrestuar mbrëmë në afërsi të shtëpisë së kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ai e kishte ftuar vetë policinë të cilët në vendngjarje pas kontrollit i kishin gjetur një thikë dhe më pas e kishin dërguar në stacion policor ku i është bërë alkool testi dhe ka rezultuar se ishte në gjendje të dehur.