E hënë, 25 Maj, 2020
Lajme

Shpend Ahmeti kthehet në gjirin e Devollëve për qumështin

Komuna e Prishtinës është duke e shqyrtuar mundësinë që të negociojë kontratë me kompaninë “Devolli”, për të arritur te çmimi 20 centë për një paketim qumësht, që është i përballueshëm për komunën.



Këtë, për KTV-në e ka konfirmuar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pas vendimit që të anulohet tenderi i sivjetmë për furnizim me qumësht për nxënësit e shkollave fillore, shkaku i çmimit të lartë.

Kompania “Devolli”, deri vitin e kaluar, ka fituar shumicën e tenderëve për furnizim me këtë qumësht, ndërsa në tenderin për vitin 2019 nuk ka marrë pjesë.

Kryetari Ahmeti beson se e di pse kjo kompani nuk konkurroi më.



“Mospjesëmarrja e kësaj kompanie mund të ketë ardhur edhe si pasojë e sulmeve ndaj saj dhe komunës”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka mohuar se anulimi i tenderit me vlerë rreth 730 mijë euro, ka ardhur pas kallëzimit penal të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj komunës, me pretendimin se vitin e kaluar udhëheqja komunale ka keqpërdorur mbi 500 mijë euro.

“Absolutisht jo, bile e dëshmon që Lëvizja Vetëvendosje ka rrejt, sepse ato që i kemi thënë ne qe një kohë të gjatë ashtu edhe po del”, ka thënë Ahmeti.



I pari i Prishtinës, ka konfirmuar se së shpejti do ta dorëzojë padinë për shpifje ndaj Vetëvendosjes.

“Kur ta dorëzojmë padinë do t’ju ftojmë edhe juve në Pallatin e Drejtësisë, do të flasim edhe më shumë për rrenat, gënjeshtrat dhe sulmet që po i bën Lëvizja tash pasi që nuk jam më pjesë e Lëvizjes.

Po mendojnë se me sulme të tilla dhe gënjeshtra mund të na dobësojnë dhe të na lodhin”, ka thënë Ahmeti.

Mirëpo, të kundërtën e thotë ish-partia e Ahmetit, Lëvizja Vetëvendosje.

LEXO EDHE:
Analisti kosovar që kishte paralajmëruar se virusi korona zhduket në Ramazan!

Asamblisti i kësaj partie në Kuvendin Komunal, Egzon Azemi, thotë se prapa anulimit të tenderit qëndron pikërisht kallëzimi penal dhe frika nga dënimi i mundshëm.

Kërkesa e komunës që tenderi të jetë vetëm gjashtëmujor, sipas Azemit, po i përjashton kompanitë tjera që të aplikojnë sepse, siç vlerëson, për këtë kohë ato s’mund t’i sigurojnë investimet në makineri për prodhimin e qumështit.

Kryetari Ahmeti ka thënë vazhdimisht se çmimi për qumështin në Prishtinë është më i ulëti në Kosovë.

“Mezi po pret të shohë se me çfarë çmimesh do të blejnë qumështin komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Ahmeti.