Lajme

AGK dhe KMSHK për fjalimin e deputetes Pacolli: Ky është kërcënim serioz i pushtetit aktual kundër mediave

Në një fjalim të sotëm në Kuvend, deputetja e partisë në pushtet, Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka bërë thirrje për rregullim qeveritar të mediave, sidomos mediave online.

Thirrja e hapur e deputetes Pacolli për ndërhyrje direkte të Qeverisë për kontroll ndaj mediave është e papranueshme për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës-AGK dhe Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës – KMSHK-në dhe paraqet rrezik për lirinë e medias në vend.

“Mediat, shumica e të cilave janë të regjistruara si biznese në ARBK, kurse një pjesë tjetër si OJQ, rregullojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet ligjeve përkatëse në Kosovë dhe rregulloreve të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës – Press Council of Kosovo. Çdo tentim i Qeverisë për të ushtruar kontroll mbi mediat është tentativë e papranueshme për të ndërhyrë në punën e tyre. Ky është kërcënim serioz i pushtetit aktual kundër mediave”, thuhët në reagimin e këtyre dy organziatave.

Ndryshe, Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, nëpërmjet një fjalimi skandaloz në Kuvend, ka kërkuar nga Kuvendi dhe Qeveria që të ndërmarrin masa ndaj mediave në Kosovë.

Fjalitë më poshtë, mund të jenë thirrjet më brutale që kemi dëgjuar ne, e ju lexuar deri tani, si goditje ndaj demokracisë, përkatësisht pavarësisë së mediave.

“Edhe si Kuvend edhe si qeveri duhet të marrim masa është se viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa medium kryesore dhe ato online, të cilat po përdoren për qëllime biznesore dhe shantazh politik. Pra, këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe Qeverisë që të marrin masa, dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodhë me funksionimin e medias, me transparencën dhe identifikimin e pronësisë së mediumeve”, tha ajo. /Periskopi/