Lajme

Agim Krasniqi nga NISMA: Arsimi cilësor, arma më e fortë kundër varfërisë

Kandidati për deputet nga radhët e NISMA’s Socialdemokrate, Agim Krasniqi, ka vlerësuar se me ngritja e cilësisë së arsimit është arma kryesore për luftimin e varfërisë në Kosovë, raporton Korrespodenti.

“Shporta ekonomiko-sociale e një individi, nuk do të jetë faktori vendimtar për të ardhmen e tij. Ngritja dhe përparimi në karrierë nëpërmjet arsimit, është qëllimi ynë social – politik. Çdo individi do t’i mundësohet të përfshihet në skemën arsimore të projektuar nga NISMA. Varfëria fillon shpesh si mungesë arsimi, prandaj pjesëmarrja në arsim për dije dhe shkathtësi teorike-praktike është një domosdoshmëri e mundësive të barabarta për shoqërinë tonë socialdemokrate, patriotike, te arsimuar dhe mirë të përgatitur për të përmbushur detyrat tona të përgjithshme me sa më shumë përgjegjësi individuale”, ka thënë gjatë shpalosjes së programit qeverisës, kandidati për deputet, Agim Krasniqi.

Ai ka thënë se NISMA e ka prioritet ngritjen e një sistemi arsimor të drejtë dhe efektiv.

“Ne, NISMA, do ta krijojmë një sistemi arsimor të drejtë dhe efektiv, ku do të jemi në gjendje të transmetojmë dhe të ruajmë ato vlera të cilat janë themeli i begatisë dhe i mirëqenies. Duke qenë se arsimi është me rëndësi strategjike për të transmetuar vlerat tona morale dhe ekonomike, ne duam të marrim masa të ndryshme në lidhje me konkurrencën e shkollave për një arsim më të mirë. Ne duam standarde kombëtare të detyrueshme dhe një vlerësim efektiv të hapur dhe transparent, por ne duam gjithashtu më tepër përgjegjësi personale për shkollat, në mënyrë që ato të ndjekin për veten e tyre mësime të cilësisë më të lartë”, ka thënë Agim Krasniqi.

Agim Krasniqi do të garojë në këto zgjedhje me numrin 53 në listën e NISMA’s Socialdemokrate./Korrespodenti


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?