Lajme

Abdixhiku: Kosova bëri mirë para se të bënte keq, ja si shpëtuam nga shpërthimi i pandemisë Covid-19

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur hap të duhur karantinimin e qytetarëve të dyshuar me COVID-19, si pjesë e masave kundër përhapjes së kësaj sëmundje që deri më tash ka prekur pothuajse të gjitha pjesët e botës.

Ndonëse e pranon se kushtet në karantinë mund të mos ishin nga më të mirat, Abdixhiku thotë se karantinimi po funksionon dhe se pa karantinë do të kishim shpërthim.

Mbi 500 qytetarë tanë janë vendosur në karantinën në Qendrën e studentëve në Prishtinë, prej tyre dyqind janë testuar dhe janë liruar për në shtëpi, ndërkohë që ministri Abdixhiku thotë se edhe qindra të tjerë do të kthehen gradualisht e do të vendosen aty njëtrajtësisht.

“Të testuarit pozitiv, 3 sosh, për shkak të karantinimit nuk kanë kontaktuar askënd. As brenda as jashtë. Sa për krahasim, vetëm një qytetar pozitiv në një qy tezë në Kosovë ka nisur zinxhirin pozitiv te mbi 50 të tjerë. Pa karantinë do të kishim shpërthim. Me karantinë kemi edhe kontroll edhe kthim në shtëpi. Për këtë duhet falënderuar të gjithë. Qytetarët që me durim qëndrojnë aty; por mbi të gjitha shërbyesit e qendrës, të shëndetësisë, policët, ushtarët e vullnetarët që kanë bërë të vlejë i gjithë ky angazhim”, shkruan Abdixhiku në Facebook.