Lajme

Abdixhiku fajëson familjet, shkollat, shtetin për sulmin që iu bë gruas rome në Ferizaj

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për sulmin fizik që iu bë në pikë të ditës gruas rome, sot në Ferizaj.

Abdixhiku shkruan se pamjet e sulmit tregojnë shtetin e dështuar në rrënjë. Të rinjtë i ka qujtuar gjeneratë e paditur përplotë urrejtje e shkollat fabrika të paditurisë.

Reagimi i plotë i tij:

Ja pra. Kjo është fotografia e shtetit tonë; e shoqërisë sonë. Rezultat përfundimtar i një vendi të kapur. Kështu përfundon.

Një grua e shtrirë përtoke dhe një turmë që brohoret e aplaudon. Një gjeneratë e humbur, e paditur dhe me urrejtje plot. Një gjeneratë që shtypë të ligun ani pse babë, nënë, gjysh e gjyshe të shtypur i kishin gjithnjë.

Kjo është fotografia e fabrikave të paditurisë që i quajmë shkolla rëndom. Ja çfarë po krijojmë. Me rëndësi autostradat miliardëshe e urat më të gjata në rajon.

Kjo është fotografia e shtetit të dështuar në rrënjë. E një policie që s’reagon; e një gjyqësie që s’dënon, e një politike që jep shembull se gangsterizmi është krejt i zakonshëm. Huliganë lartë, huliganë poshtë, s’ka si të del ndryshe.

Jemi në krizë. Morale, intelektuale, njerëzore.