Lajme

Abdixhiku: Dita më e rëndë për vendin sot

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas konfirmimit të 79 rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë, duke thënë se kjo është dita më e rëndë për vendin sot.

Ai në një postim në Facebook apelon qytetarët të mos dalin nga shtëpia, pasi që asnjë masë nuk ka ndikim pa bashkëpunim.

“Përpjekja e deritanishme s’ka qenë fare e lehtë. Keni hequr dorë nga sjelljet tuaja më të zakonshme. Nga mbyllja e punëve e deri te distancimi nga më të dashurit tuaj. Kjo përpjekje, sado e vështirë që është, duhet të vazhdojë – në të kundërtën secili kontribut kolektiv i deritanishëm humbet kuptim. Sot ky kontribut ka humbur kuptim”, shkruan ai.

Abdixhiku ka thënë se vendi po furnizohet mjaftueshëm dhe pandërprerë, teksa qytetarët e ngujuar jashtë, ngadalë por sigurt po kthehen në shtëpi.

“Qëndrimi në shtëpi e bën punën e mjekëve, policëve, ushtarëve e secilit kontribuues tjetër në këtë betejë shumë më të lehtë. Duke qëndruar në shtëpi, ju shkurtoni kohëzgjatjen e mbylljes. Në anën tjetër, transporti ndërkombëtar i mallrave vazhdon. Rrugët po pastrohen e mirëmbahen nëpër Kosovë. Arsimi po zhvillohet. Do t’i mbushim shpejtë edhe sheshet, edhe rrugët, edhe shkollat, edhe kafiteritë e edhe stadiumet. Do të takohemi sërish të gjithë. Le të kujdesemi sot që ky takim të jetë me gëzim”, shprehet ai.

Kosova ka regjistruar 362 raste me koronavirus, prej tyre 79 vetëm sot, teksa numri më i madh i rasteve të reja është konfirmuar në Ferizaj – 35. Ndërkohë, edhe Prizreni është vendosur në karantinë, pas 16 rasteve të reja sot, duke e shtuar bilancin e përgjithshëm në këtë komunë – 21. Prishtina ndërkaq nga ora 17.00 është në karantinë.