Lajme

Abdixhiku: Dimri i këtij viti do të jetë më i vështiri që Kosova ka përjetuar ndonjëherë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se dimri i këtij viti do të jetë më i rëndi që Kosova ka përjetuar ndonjëherë.

Sipas tij, reduktimet e energjisë dhe faturat e shtrenjta do të godasin secilën familje kosovare e secilin biznes – prodhues, tregtar e shërbyes pa dallim.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se kjo krizë e re, nuk buron në Kosovë, por përballueshmëria e saj varet vetëm nga politikat e Qeverisë së Kosovës – e cila, ndonëse e paralajmëruar me kohë, vazhdon me kokëfortësi vetëm të vëzhgojë.

“Rryma nuk ruhet në frigorifer, por ajo blihet sot për nesër gjithandej në Evropë. Termocentralet riparohen me kohë; resurset alternative përgatiten për prodhim – s’mbyllen sikurse i kanë mbyllur sot – e marrëveshjet ndërshtetërore paraprihen kur përballë ke një krizë katastrofike si kjo e ardhmja e jonë, rajonit e më gjerë”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se në dy vjet qeverisje, asnjë potencial i ri energjetik nuk po merr formë.

Abdixhiku ka thënë se projekti i vetëm gjenerues, ai i termocentralit me gaz, është refuzuar në mars 2021. Shton se në vend të prodhimit, bateritë, sipas tij, deponimi i energjisë ka marrë prioritet.

“Para se të deponosh duhet të prodhosh. Së pari ‘fabrika’ më pas ‘depoja’. Një depo energjetike pa prodhim është investim nga fundi. E ndonëse kishim gjithë pranverën e verën në dispozicion, asnjë masë grumbulluese e resurseve alternative për ngrohje nuk është ndërmarrë”, ka thënë ai.

Sipas tij, familjet e goditura me inflacion rekord e me mungesë investimesh kapitale si asnjëherë më parë, as nuk janë paralajmëruar për krizë, e as nuk u janë lehtësuar çmimet e drunjëve, peletit e lëndëve djegëse me kohë.

“Në shtator, kur vera të mbarojë, një pako e re fiskale do duhej të ishte e gatshme; siç do të duhej të ishin të gatshme subvencionimet dhe koordinimet me institucionet e energjisë. Asnjë nga këto masa nuk diskutohet në Kosovë sot. Po futemi drejt theqafjes, me një Qeveri që s’ka plan e as ide si të na kapërcejë përtej dimrit më të vështirë ndonjëherë. Ndonëse do t’i bëjë dy vjet pa lënë asnjë shenjë, e edhe me një dimër të vështirë, ata do të shërbehen me arsyetimet e zakonshme tashmë për 20 vjet”, ka shkruar ai.