Lajme

“AAK’së i takojnë katër ministri, detajet e marrëveshjes kryhen sot”

LDK, AAK dhe Nisma duket se janë afër për finalizimin e marrëveshjes për koalicion qeverisës. Këta të fundit thonë se një gjë e tillë do të ndodhë shpejt dhe se janë në diskutim të detajeve.



Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj thotë se nënshkrimi i marrëveshjes mund të ndodhë edhe sot.

“ Unë mendoj se afër është nënshkrimi i marrëveshjes edhe po shpresoj që shumë shpejt do ta mbërrijmë për me votu… E mundshme që edhe sot, edhe nesër, edhe pasnesër. Detajet sot kryhen”, deklaroi Selmanaj, për KosovaPress.

Ndërkohë, është raportuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i ketë katër ministri, dhe postin e zëvendëskryeministrit të qeverisë e cila do të drejtohet nga Avdullah Hoti.

Sipas informatave, AAK do ta ketë Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.



Për këtë Selmanaj thotë se emrat e ministrive janë në diskutim, mirëpo thekson se AAK-së duhet t’i takojnë aq ministri.

“Personalisht mendoj se numri i ministrive duhet të mbetet i njëjti që të mos ketë rritje… Ne i kemi 13 deputetë, që sipas kësaj matematike ne do të duhej me i pas katër ministri… Emrat e ministrive janë në diskutim”, tha ai.

Sipas Selmanajt qeveria e re pritet të votohet në kuvend gjatë javës së ardhshme. Për këtë shpreh besimin se do të kenë votat e mjaftueshme.



“Për aq sa unë jam i informuar ka vota të mjaftueshme për votimin e kësaj qeveri”, thekson Selmanaj për KosovaPress.

Siç është raportuar ministrinë e Jashtme, do ta drejtojë Meliza Haradinaj; Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuqi; Ministrinë e Drejtësisë, Selim Selimi, dhe ministrinë e Arsimit, Ramë Lika. Ndërsa, zëvendës i kryeministrit Avdullah Hoti, nga AAK do të jetë Besnik Tahiri. /Telegrafi/