Lajme

AAK merr vendim: Të gjithë kryetarët e komunave që udhëhiqen nga ta, do jenë kandidatë për deputetë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka vendosur që në listën e kandidatëve për deputetë të futen edhe kryetarët e komunave që udhëhiqen nga kjo parti.

Burime të Gazeta Blic, brenda AAK-së, bëjnë të ditura se vendimi i kësaj partie për futjen e kryetarëve të komunave që udhëhiqen nga partia e Haradinajt, po bëhet për qëllim që në zgjedhjet e parakohshme, kurdo që të mbahen të dalin sa më mirë me vota.

Madje, sipas të njëjtave burime, disa kryetarë komunash kanë filluar që të bëjnë fushatë, duke kërkuar mobilizim nëpër degët që ata i udhëheqin.

Gazeta Blic, ka kontaktuar nënkryetarin e AAK-së, njëherësh shef i deputetëve të kësaj partie, Ahmet Isufi, i cili nuk e ka mohuar një vendim të tillë.

Isufi për Gazeta Blic, ka thënë se AAK në listën e kandidatëve për deputetë do t’i ketë kuadrot më të mira në vend, duke shtuar se nuk e përjashton mundësinë që në garë të futen edhe kryetarët e komunave që udhëhiqen nga AAK.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i ketë në listën e saj kuadrot më të mira qoftë në nivelin qendror, qoftë në nivelin lokal, por kjo do të vendoset në Këshillit Drejtues. Nuk përjashtohet mundësia që në listë të jenë edhe kryetarët e komunave që udhëhiqen nga AAK. Pritet ditëve në vazhdim të vendoset gjithcka”, ka thënë Isufi për Gazeta Blic.

Me këtë vendim, i bie që kryetarët e komunave të Klinës, Obiliqit, Deçanit, Gjakovës, Suharekës, Junikut dhe Rahovecit, do të futen në garë për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme.

Zenun Elezaj udhëheq me Komunën e Klinës, Xhafer Gashi me atë të Obiliqit, Ardian Gjini me Gjakovën, Smajl Latifi në Rahovec, Agron Kuçi në Junik dhe Bali Muharremaj qeverisë me Komunën e Suharekës.

AAK dëshiron që përmes këtij vendimi të jetë më e fortë në zgjedhje.

Kjo parti synon që në zgjedhje të futet e vetme, teksa kandidat për kryeministër do të jetë kryetari i partisë, Ramush Haradinaj.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?