Lajme

AAK fiton dy komuna pa balotazh

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka arritur të fitojë pa balotazh në Komunën e Deçanit dhe të Suharekës.

Në anën tjetër, AAK-ja ka shkuar në balotazh në pesë komuna të tjera, në katër prej të cilave ka dalë e para në zgjedhjet lokale që u mbajtën dje, shkruan lajmi.net.

Kandidati i kësaj partie për kryetar të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka fituar pa balotazh duke marrë 65.17 për qind ose 9 mijë e 468 të votave në total.

Pa balotazh ka fituar edhe kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili ka marrë 52.28 për qind ose 13 mijë e 837 vota në total.

AAK-ja ka dalë e para në katër komuna të tjera, ku do të shkojë në balotazh në Komunën e Junikut, Rahovecit, Gjakovës dhe Klinës.

Në Komunën e Junikut, kandidati i AAK-së Agron Kuçi ka dalë në vendin e parë me 47.26 për qind ose 1 mijë e 62 vota në total. Kuçi do të përballet në balotazh me kandidatin e LDK-së, Ruzhdi Shehu, i cili është radhitur i dyti me 37.87 për qind ose 851 vota në total.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka dalë i pari në zgjedhje me 47.23 për qind ose 9 mijë e 925 vota në total. Ai do të garojë në balotazh me kandidatin e LVV-së, Visar Korenica, i cili ka rezultuar i dyti në zgjehdje me 24.78 për qind ose 5 mijë e 206 vota.

Ardian Gjini i AAK-së ka dalë i pari në Komunën e Gjakovës, ku ka arritur të marrë 46.00 për qind ose 18 mijë e 382 të votave në total. Gjini do të përballet në balotazh me kandidaten e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka dalë e dyta në zgjedhje me 37.08 për qind ose 14 mijë e 819 vota në total.

AAK-ja ka dalë e para edhe në Komunën e Klinës, por kandidati i kësaj partie, Zenun Elezaj, ka marrë vetëm 43.10 për qind ose 7 mijë 291 vota në total, duke mos arritur të fitojë pa balotazh në këtë komunë. Elezaj do të garojë në balotazh me kandidatin e PDK-së, Esat Raci, i cili ka dalë i dyti në këtë komunë me 27.60 për qind ose 4 mijë e 669 të votave në total, shkruan lajmi.net.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të shkojë në balotazh edhe në Istog, ku ka dalë e dyta me vota.

Kandidati i kësaj partie në Komunën e Istogut, Bekë Berisha, ka marrë 26.61 për qind ose 4 mijë e 947 vota në total. Berisha do të garojë në balotazh me kandidatin e LDK-së, Ilir Ferati, i cili ka dalë i pari në zgjedhje në këtë komunë, duke marrë 40.91 për qind ose 7 mijë e 607 vota në total.

Kujtojmë se raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 14 nëntor.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?