Lajme

AAK do t’i kandidojë për deputetë edhe të akuzuarit

Dy ministrat në detyrë nga AAK-ja me aktakuza, Pal Lekaj dhe Rrustem Berisha, do të garojnë për deputetë.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka konfirmuar për KTV-në se do t’i hyjë garës për ulëse në Kuvend.

Votën qytetarëve do t’ua kërkojë edhe Ministri në detyrë i Mbrojtes, Rrustem Berisha, i cili është i akuzuar në rastin e veteranëve të luftës.

Në listën e AAK-së do të jetë edhe Shkumbin Demaliaj, i cili ka dy aktakuza, njërën për fryrje të listës së veteranëve dhe tjetrën për kërcënimin e ish-prokurorit special, Elez Blakaj.

Ndërkaq, PDK-ja thotë se ende nuk e ka përfunduar listën e kandidatëve për deputetë.

Betim Gjoshi thotë se nuk do të ketë asnjë kandidat të kësaj partie që ka probleme me ligjin. Njëjtë janë shprehur edhe në Vetëvendosje.

Edhe LDK-ja thotë se në listën e kësaj partie për deputetë nuk do të ketë persona me aktakuza, ndonëse as kjo parti nuk e ka bërë publike këtë listë.

Ndërsa, në KQZ, gjatë së premtes, Lista Serbe ka dorëzuar emrat e 17 kandidatëve të saj për deputetë.

Në mesin e tyre është edhe Ministri i shkarkuar i Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, i cili i kishte quajtur shqiptarët ‘terroristë’ dhe masakrën e Reçakut ‘trillim’.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?