Lajme

“A veç pse po mundesh a?” – taksisti rrëfen krejt çka i ndodhi me policët mesnatën e së martës

Taksisti Bekim Ibishi ndodhej në orën e 11-të të punës së tij si taksist mesnatën e së martës derisa me veturën e tij të punës po i ngjitej Bulevardit Bill Clinton në lagjen Dardania të Prishtinës.

Aty u ndalua nga një patrullë policore, siç thotë ai, për një kontrollë rutinore e cila i është bërë e rregullt gjatë periudhës së pandemisë.

Por, kontrolla policore ndaj tij u kthye në dhunë pas pak minutash. U arrestua me forcë nga dy zyrtarë policorë, treguan pamjet e publikuara në media mëngjesin e së mërkurës.

Ibishi, në një bisedë telefonike për Gazetën Insajderi, ka rrëfyer të gjithë ngjarjen. Ka thënë se polemikat mes tij dhe zyrtarëve policorë filluan që në shkëmbimin e fjalëve të para mes tyre.

“Po kthehesha nga drejtimi i Fushë Kosovës, një patrullë policore më ndaloi për kontrollë derisa isha pa pasagjer. Pasi zakonisht po na ndalin shkaku i pasagjerëve, pasi e ndala veturën fjalia e parë që i thashë policit ishte: ‘S’kam pasagjer’. Polici ma ktheu: ‘Mi jep dokumentat sepse nuk paske respekt për Policinë, sepse po bërtet’. Kur ia dhashë dokumentat e veturës, polici më tha se do të ma shkruante një gjobë për mosvënie të rripit të sigurisë, derisa unë ia ktheva: ‘A veç pse po mundesh a? Mos bre vëlla se na nga 170 euro rrogë mesatare po i nxjerrim’”, ka treguar taksisti.

Siç rrëfen Ibishi, situata eskaloi pas një përplasje verbale mes tij dhe zyrtarit policor. Por, ai thotë se pavarësisht prej faktit se i respektoi urdhrat policor, zyrtarët policorë ia “dhunuan integritetin” duke e përplasur për tokë.

“Ai nuk më dëgjoi dhe vazhdoi kah vetura e Policisë për të ma shkruar dënimin. Unë dola nga vetura, e iu luta policit që të mos më gjobiste. ‘A ke mundësi me ma fal?’, i thash. Polici më tha që nuk mund të ma falte dhe se do të ma shkruante dënimin. I thash: ‘Mirë pra, se ju merrni rrogë nga puna e sektorit privat. Nuk po e luftoni krimin, por po e dënoni një taksist’ dhe vazhdova të ecja nga vetura ime. Më tha që do të më arrestonte, ndërkaq unë nuk rezistova. I vendosa duart mbrapa dhe i thash policit të më arrestonte. ‘Për çka po më arreston’, e pyeta”, rrëfen ai. “Aty, duke filluar të më lidhte duart, zyrtari policor filloi duke ma dhunuar integritetin tim personal dhe më përplasi në tokë”.

Ai pretendon se policët e fyen atë edhe në baza familjare, para se të “dhunohësha fizikisht nga një zyrtar i Njësisë Speciale”.

“Pastaj më fusin në kombin e Njësisë Speciales. Me t’u futur aty, një polic më godet nga mbrapa. Fillova të polimizoja me të deri në stacion dhe ai vazhdonte të më godiste mua. Kur kam shkuar në stacion mu mohua e drejta e telefonatës sepse telefonin tim ma lanë në veturë ndërkaq kuletën dhe gjësendet e tjera mi sollën. Unë e kam kërkuar vazhdimisht telefonin sepse doja ta telefonoja Inspektoratin Policor, por nuk ma sollën”, thotë ai.

Ibishi u gjobit për kundërvajtje për mospërfillje të urdhrave të ligjshëm me udhëzim të prokurorit kujdestar atë natë.

Ndërkaq Policia e Kosovës u shpreh se rasti tashmë i takon Inspektoratit Policor për të vërtetuar “ndonjë lëshim eventual nga zyrtarët policorë”.

Por, Bekim Ibishi shprehet i bindur në pafajësinë e tij. Ai shprehet se ndaj disa zyrtarëve policorë ka hapur rast në IPK.

“Nuk kam dhënë deklaratë në Polici për arsye të konfliktit që kisha me ta [zyrtarët policor]. Më kanë gjobitur për mosrespektim të urdhrit policor, të cilën unë nuk e kam pranuar sepse unë besoj që i kam respektuar urdhrat policor. Ata pastaj më liruan dhe i kam thënë një zyrtari policor që të ma telefononte një taksi, me të cilën kam shkuar në Inspektoratin Policor. Atje një zyrtar i Inspektoratit Policor e ka hapur rastin dhe më ka rekomanduar që të bëja një ekzaminim mjekësor”, ka deklaruar ai. /Insajderi.org


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?