Lajme

A u “zhdukën” 4 mijë eurot që Zyra e Presidentit i ndau për koncertin e artistëve të huaj?

Hashim Thaçi

Zyra e Presidentit të Kosovës nuk ka arritur ende ta konfirmojë nëse 4 mijë euro që një organizatë jo-qeveritare ka përfituar prej saj vitin e kaluar janë shpenzuar për të njëjtat qëllime mbi të cilat ishin ndarë paratë.

Në raportin e auditimit për Zyrën e Presidentit të Kosovës, Auditori Gjeneral ka gjetur parregullsi në ndarjen e 4 mijë e 70 eurove nga Presidenca për një Organizatë jo-qeveritare.

Kjo e gjetur e Auditorit të Përgjithshëm mbështetet tek një vendim i nxjerrë më 12 mars të vitit 2019, përmes së cilit Zyra e Presidentit Thaçi ndau 4 mijë euro për një OJQ, emri i së cilës nuk është bërë i ditur, me qëllim organizimin e një koncerti.

Por, OJQ-ja përfituese e projektit nuk ka dhënë dëshmi nëse fondet e ndara nga Presidenca janë përdorur për realizimin e performancës me artistë të huaj, siç thuhej në vendim.

“Pika 4 e këtij vendimi thekson se, në rast të mos realizimit të projektit, përfituesi obligohet për kthimin e mjeteve financiare në buxhetin e Republikës së Kosovës”, nënvizon Auditori Gjeneral. “Komisioni për shqyrtimin e kërkesave për subvencione, na ka ofruar dëshmitë se në mënyrë elektronike kishte kërkuar raportimin nga OJQ përfituese, mirëpo këta të fundit nuk janë përgjigjur”.

Auditori ka theksuar se nuk ka mundur të identifikojë nëse OJQ-ja përfituese e fondeve i ka shpenzuar ato siç ishte paraparë në vendim.

“Në mungesë të raporteve kthyese nga përfituesit e subvencioneve, nuk është e mundur të konfirmohet nëse përfituesi ka shpenzuar fondet sipas qëllimit për të cilin është dhënë subvencioni”, ka gjetur Auditori.

Në raport, Zyra Kombëtare e Auditorit ka rekomanduar Sekretarin e Përgjithshëm të Presidencës që “të siguroj forcimin e kontrolleve në fushën e monitorimit të përfituesve të subvencioneve, për sigurimin e dëshmive përkatëse lidhur me shfrytëzimin e mjeteve nga përfituesit”.

“[…] ndërsa për mjetet e paarsyetuara, të sigurohet se merren masat e duhura të përcaktuara në vendim”, ka thënë Auditori në raportin e auditimit për Presidencën, të vitit 2020. /Insajderi.org

SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?