Lajme

“A t’jau qes qëto femra, m’i jepni parët për to”/ Kushëriri tenton t’i mashtrojë dhe t’i fus në veturë me të panjohur dy vajza të mitura

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Për këtë fenomen shqetësues ditëve të fundit ka pasur reagime të shumta pas ngjarjes që tronditi vendin, dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë. E një rast i ngacmimit seksual ku viktima janë dy vajza të mitura, ka ndodhur mbrëmë në fshatin Serbobran në Istog.

Sinjali mëson se dy vajza të moshave 12 dhe 15-vjeçare, teksa po ktheheshin nga dyqani për në shtëpi janë përballur me një kushëri të tyre, i cili kishte tentuar t’i mashtrojë dhe t’i fus në veturë.

Sipas dëshmisë së dhënë nga dy vajzat e mitura, në veturë ndodheshin edhe tre persona tjerë të rritur, ku njëri ndër ta ishte vëllai i të dyshuarit të parë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se 23-vjeçari që tentoi t’i mashtrojë të miturat, ka kërkuar nga dy personat tjerë që ndodheshin brenda veturës që t’ia japin paratë për dy vajzat.

Përballë kësaj situate, vajzat të frikësuara dhe të shqetësuara kanë arritur që të ikin që aty dhe të shkojnë në shtëpinë e tyre, ku u kanë treguar prindërve se çfarë ka ndodhur.

Ato bashkë me prindërit kanë shkuar në stacion policor për të denoncuar rastin, me ç’rast Policia menjëherë është vënë në lëvizje ku kanë arritur që të arrestojnë vëllain e 23-vjeçarit i cili ndodhej në veturë bashkë me dy persona ende të paidentifikuar.

Ai është shoqëruar në stacion për intervistim, ku para hetuesve policorë ka deklaruar se nuk ka ditur gjë për planin e vëllait të tij, vetëm e ka dëgjuar teksa ka pyetur dy të panjohurit se a dëshirojnë t’ua rregullojë punën me vajzat.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka kërkuar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të vazhdojnë hetimet për kapjen e të dyshuarit tjetër. Ata do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim seksual’.