Lajme

A po përballet Kosova me krizë të ujit?

Banorët e Gjilanit rrezikojnë të mbesin pa ujë, pasi pjesa më e madhe e Liqenit të Përlepnicës është tharë krejtësisht.

Kryeshefi ekzekutiv i “Hidromorava”, Muhamet Suliqi, ka treguar se aktualisht niveli i ujit në këtë liqen ka rënë për 21 metra.

“Momentalisht, nivelin e ujit te penda e kemi 8.85 metra, derisa në periudhën e njëjtë në vitin e kaluar ka qenë 30,30 metra ku ka qenë e aktivizuar edhe kapërderdhësja për shkak të nivelit maksimal që ishte arritur”.

“Sipas informatave që i kemi nga laborantja këtu, në fund të nëntorit të vitit 1993 është ndërprerë prodhimi dhe nuk është lëshuar prodhimi i ujit deri në mars të vitit 1994 derisa është mbushur. Kjo ka ndodhur para 26 vjetëve”.

Suliqi në një intervistë për Klan Kosovën ka treguar se si po bëhet furnizimi me ujë të pijshëm dhe se çfarë reduktime po aplikohen për shkak të kësaj gjendje në Liqenin e Përlepnicës.

“Sa i përket furnizimit me ujë prej pendës së Përlepnicës, jemi duke aplikuar reduktime prej orës 21:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit. E kemi burimin tre kilometra mbi pendën e Përlepnicës, Gurin e Hoxhës, ku prej aty marrim 32 litra ujë në sekondë. Jemi duke i furnizuar qytetarët 24 orë në shtatë ditë”.

“E kemi burimin e Banjës në Gjilan ku prej aty jemi duke furnizuar me ujë rreth 20 litra në sekondë, derisa edhe aty jemi duke aplikuar reduktime prej orës 24:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit”.

“Nga burimi i ujit që e kemi në Velekincë jemi duke marrë 64 litra ujë në sekondë nga ku diku rreth 30 % e qytetarëve të komunës së Gjilanit furnizohen me ujë”.

Kryeshefi ekzekutiv i “Hidromorava” ka treguar se po punohet që të gjenden alternativa të tjera të furnizimit me ujë.

“Kemi gjetur dy lokacione. Te FSK-ja i kemi tri puse, po ashtu edhe te lokacioni Fidanishte. Brenda kësaj jave ose më së largu në fillim të javës së ardhshme do të fillojmë me punimet për marrjen në menaxhim të tri puseve që i kemi te FSK-ja ku aty presim të marrim 20 litra ujë në sekondë që të zbusim kështu urnizimin me ujë”.

“Edhe te Fidanishtja e kemi bërë hulumtimin gjeofizik që në bazë të raportit tregon që aty ka ujë”.

Ai ka thënë se qytetarët e komunës së Gjilanit janë njoftuar vazhdimisht si për reduktimet, ashtu edhe për kualitetin e ujit.

“Kualitetin e ujit, përpos laborantëve që e përcjellin dhe i bëjnë analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike, edhe Qendra Rajonale e Shëndetit Publik në bashkëpunim me Institutin Rajonal të Shëndetit Publik vazhdimisht i marrin mostrat”.

“Me rënien e nivelit të ujit ka pasë ndryshime edhe te kualiteti i ujit. Por, mbi të gjitha uji është i pijshëm dhe është nën kontrollë”.

“Në pikat ku kanë mungesë të ujit ka reduktime, por cisternat i kemi në gjendje gatishmërie dhe i furnizojmë 24 orë me ujë kurdo që është nevoja”.

Ai ka deklaruar se arsyeja e rënies drastike të nivelit të ujit te penda e Përlepnicës është thatësia e madhe dhe mungesa e reshjeve.