Lajme

A është Thaçi fajtor për raportet e këqija mes Kurtit e Ramës? Çitaku befason me përgjigjen

Vlora Çitaku, ish-ambasadorja Kosovës në SHBA njëherësh nënkryetare në Partinë Demokratike të Kosovës ka thënë se nuk është në rregull që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të jetë arsyetim për raportet jo të mira në mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

Ajo në emisionin DIREKT në ATV tha se raportet mes Albin Kurtit e Edi Ramës si dhe akuzat publike mes tyre nuk janë aspak në rregull.

E pyetur nëse për këto raporte në mes tyre ka rol afërsia në mes Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, Çitaku tha se nuk është në rregull të përmendet Thaçi përderisa ai nuk gjendet në Kosovë.

“Mas pari zoti Thaçi so ktu është në Hagë dhe me sjellë atë si arsyetim nuk është në rregull”, tha ajo.

Çitaku po ashtu ka kritikuar marrëdhëniet e acaruara në mes udhëheqësve të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Për herë të parë kemi një komunikim kaq të vrazhdët që unë me vite nuk mbaj mend një komunikim kaq të ulët,” – tha ajo.

Çitaku tutje shtoi se e sheh të udhës që udhëheqësit e të dy vendeve të ulen dhe të pajtohen për gjëra të caktuara në të mirë të të dyja vendeve.

“Ne duhet të ulemi dhe të dakordohemi për ato gjëra që janë në rregull për ne dhe për ata dhe nuk do të thotë të pajtohemi 100%” – tha ajo./ATVLIVE/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?