Lajme

A është politikan më i mirë Thaçi apo Kurti dhe cili ka bërë më shumë për Kosovën, befason me përgjigjen Pacolli

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Bexhet Pacolli thotë se Kosova Ka nevojë për ish-presidentin Hashim Thaçi, sepse, ndërtimi i shtetit të Kosovës sipas tij nuk ka përfunduar ende.

Në një intervistë për “Kosovo Online”, Pacolli tha se Kosova duhet ta gjejë një mënyrë për ta krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa theksoi se kriza e fundit në veri të Kosovë është “pasqyrim i një situate që po vazhdon prej vitesh”. Ai foli edhe për dialogun me Serbinë, zgjedhjet lokale, vizitën që ua bëri krerëve të UÇK-së në Hagë, si dhe u përgjigj në pyetjen se cili ndërmjet Hashim Thaçit e Albin Kurtit ishte udhëheqës më i mire.

“Javën e kaluar, vizitova ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili është në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë për gati një vit. Koha e shkurtër që kaluam së bashku ishte për kënaqësinë tonë të ndërsjellë. Takova edhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe ish-deputetin, Rexhep Selimi. Kjo është hera e parë në dekada që ne njihemi që nuk jam takuar me presidentin Thaçi për kaq kohë të gjatë. Si mik i tij, dhe si kosovar, jam i bindur se do të dalë me kokën lart. Kosova ka nevojë për presidentin Thaçi sepse njeriu që ishte person kyç në të gjitha proceset shtetërore është ndërtimi i një shteti të ri të Kosovës, një ndërtim që ende nuk ka përfunduar. Nuk akuzohen individët në Hagë, por Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe të gjithë e dimë se misioni i saj ishte ta bënte Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”, ka thënë Pacolli në këtë intervistë.

Më pas ai është pyetur se kush është politikan më I mirë Thaçi apo Kurti dhe cili ka bërë më shumë për pavarësinë e Kosovës.

“Politikanët nuk duhet të gjykohen kurrë se sa aktivë janë në politikë. Presidenti Thaçi ka qenë një figurë thelbësore në historinë e Kosovës në dekadat e fundit, nga lufta çlirimtare deri në shpalljen e pavarësisë. Zoti Kurti ishte aktiv në lëvizjen studentore dhe në krijimin e Lëvizjes Vetëvendosje pas luftës, duke mos harruar kohën kur ishte edhe i burgosur politik. Ai është në pushtet tani, i duhet kohë për ta provuar veten. Por të dy e kanë vendin e tyre në histori, ashtu si edhe politikanët e tjerë, dhe ne duhet ta shikojmë njëri-tjetrin nga një perspektivë më pozitive”, ka shtuar Pacolli.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?