Lajme

A e ka përnjëmend Albin Kurti kur po e përmend luftën?

Shpresat për ruajtjen e paqes i ka tek NATO, por një luftë e re me Serbinë, nuk është larg mendsh për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Kështu deklaroi kryeqeveritari në një intervistë për të përditshmen italiane La Repubblica, sikur edhe në mediumin Radio Evropa e Lirë.

“Episodi i parë, rrjedhojë e idesë fashiste të pansllavizmit që ka Kremlini ishte Ukraina. Nëse do të ketë një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë gjasat që një luftë e tretë të ngjajë në Ballkanin perëndimor, e në Kosovë veçanërisht, janë shumë të larta”, është një pjesë e përgjigjes së kryeministrit për La Repubblica.

Rrezik për një konflikt të ri, pas kësaj deklarate, nuk sheh edhe ish atasheu ushtarak në SHBA, Xhavit Gashi. Pavarësisht kësaj gjenerali në pension vlerëson se Kosova duhet t’i avancojë forcat e saj, e t’i ngrit kapacitetet mbrojtëse siç edhe po bën pareshtur.

Gjuhën e përdorur nga kryeministri megjithatë e kritikon profesori i politikës së jashtme në universitetin Johns Hopkins, Edward Joseph, sidomos që këto deklarata vijnë pas thirrjes së sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg për evitim të një eskalimi të mundshëm.

“NATO së bashku me gjithë faktorët tjerë ndërkombëtarë në Kosovë janë gjithnjë të shqetësuar teksa dëgjojnë një retorikë si ajo e presidentit Vuçiq, i cili parashikoi një ‘stuhi’ të re, në kontekstin e masave të reja, apo parashikimet për luftë nga kryeministri Kurti, absolutisht shqetësohen. Dikush mund të thotë se janë deklarata politike por po i shohim pasojat, me ato barrikadat”, ka thënë ndër të tjera Joseph.