Lajme

A do t’i bashkohet PDK-së Bekim Jashari?

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka marrë pjesë të dielën në një takim që kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, kishe mbajtur me drejtues të kësaj partie në Skenderaj.

Në disa medie, është raportuar se Jashari mund t’i bashkohet PDK-së por një gjë e tillë është mohuar nga kryetari i Skenderajt.

Jashari nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook”, ka shkruar se do të jetë i pranishëm në aty ku ka bashkim.

“Si kryetar i Komunës së Skenderajt, si anëtar i Familjes Jashari dhe si i pavarur që kam garuar në zgjedhjet e fundit, do të jem gjithmonë i pranishëm aty ku ka bashkim. Vetëm të bashkuar, ku tejkalojmë interesat e mundshme afatshkurta, mund të ecim përpara drejt realizimit të synimeve tona si shtet dhe si komb. Kam deklaruar gatishmëri të bashkëpunoj me çdo njeri e secilën parti politike, gjë që i vlerësoj të gjithë për mbështetjen që kanë ofruar për të zhvilluar komunën tonë, dhe kështu i pavarur do të vazhdoj të jem në shërbim të të gjithëve që ia duan të mirën Skenderajt tonë”, ka shkruar Jashari.

Kohëve të fundit në Degën e PDK-së në Skenderaj ka pasur pakënaqësi, madje disa asamblist të kësaj partie janë përjashtuar nga partia e cila drejtohet nga Kadri Veseli. Tani PDK-ja është në zgjedhje të brendshme partiake, ku nga ky proces do të shihet se sa unike mund të dalë kjo parti, sidomos në bastionin e saj në Drenicë.

/Epoka e re/