Lajme

A do të arrihet marrëveshja Kosovë Serbi në vitin 2020?

Kandidatja për kryeministre të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se në marsin e vitit 2020 nuk pritet të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, por një marrëveshje për çështje specifike.

Sipas saj, pranvera e vitit 2020 nuk është kërkuar nga aleatët perëndimorë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, por për të sjellë të dyja palët Kosovë-Serbi, sërish në tavolinë dhe për të rifilluar negociatat.

“Unë nuk besoj se marrëveshja finale në rrethanat aktuale mund të arrihet deri në marsin e viti 2020, por shoh që mund të arrihen marrëveshje për çështje specifike të temave më teknike, edhe pse ato kanë ndikim në marrëveshjen finale”, ka deklaruar Osmani për Zërin e Amerikës.

“Dialogu deri në mars të viti 2020 mund të trajtojë çështjen e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese, mund të trajtojë çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, me eliminimin e barrierave të lëvizjes së lirë, çështjet tregtare”, është shprehur ajo.

“Por, marrëveshja finale kërkon më shumë kohë dhe përkushtim dhe pranim të realitetit nga ana e Serbisë që nuk ekziston për momentin”, ka thënë Osmani./Gazeta Sinjali/