Lajme

50-50 pushtet, këto janë ministritë e ndara në mes Kurtit e Osmanit

Pas daljes së rezultateve zgjedhore, ku doli fituese Lëvizja Vetëvendosje, kjo parti tashmë është takuar një herë me LDK-në në tentim për një koalicion të mundshëm.



Pas numërtimit të të gjitha votave, LVV-ja dhe LDK ja pritët të kenë edhe një sërë takimesh në tentim për një marrëveshje bashkëqeverisëse.

Marrë parasysh rezultatin e ngushtë që doli në zgjedhje ndërmjet këtyre dy subjekteve, lajmi.net ka mësuar se LVV-ja dhe LDK-ja në bisedat e para janë pajtuar që pushteti të ndahen në mënyrë të barabartë 50 me 50.

Sipas burimeve të lajmi.net, fillimisht është rënë dakord që qeveria të reduktohet në 12 ministri, pesë prej të cilave do t’i udhëheqë LVV-ja, pesë LDK-ja e dy minoritetet.

Po sipas burimeve brenda këtyre dy subjekteve, ishte rënë dakord që në këto 12 ministri të inkuadrohen 20 zv. ministra.


Ministritë e LVV-së

Sipas bisedave fillestare partitë janë dakorduar që LVV-ja të ketë pesë ministri: Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Në këtë ministri synohet të shkrihen, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik. E që synohet të ketë tre zv. ministra, dy nga LDK që do të merren me MTI dhe Inovacionin dhe një LVV që do të merret me MZHE.

Po ashtu, LVV-ja do të marrë, Ministrinë e Brendshme, e cila është synuar të ketë një zv. ministër nga LDK-ja.

Ministrinë e Drejtësisë e cila synohet të ketë një zv. ministër nga LDK.

Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsionorë dhe Infrastrukturës. Pra, ky dikaster po synohet të përbëhet nga dy ministri. Po ashtu, kjo ministri synohet të ketë dy zv. ministra, një nga LDK e një nga LVV.

Ministrinë e Administratës Lokale (MAPL-MAP), e cila është menduar të ketë dy zv. ministra, një nga LDK e një nga LVV-ja.

Ministritë e LDK

Ndërkohë, sipas të njëjtave burime thuhet se LDK-ja do të ketë Ministrinë e Jashtme që do të përbëhet dhe nga Ministria e Diasporës dhe e Integrimeve. Kjo ministri është biseduar të ketë dy zv. ministra, një nga LDK e një nga LVV.

Ministrinë e Mbrojtjes, që është menduar të ketë një zv. ministër nga LVV-ja.

Ministrinë e Shëndetësisë, me një zv. ministër nga LVV-ja.

Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, një zv. ministër nga LVV-ja.

Ministrinë e Arsimit, Kulturës dhe Sportit, që është menduar të ketë dy zv. ministra, një nga LDK e një nga LVV.

Ndërkohë, për minoritet janë rezervuar dy ministri, Ministria e Mirëqenies Sociale që do të kishte një zv. ministër nga LVV-ja e një nga LDK-ja.

Për minoritetet është biseduar që të udhëheqë edhe Ministrinë e Kthimit dhe Komuniteteve, me dy zv. ministra një nga LDK dhe një nga LVV-ja.

Megjithëkëtë, po sipas burimeve brenda dy subjekteve, këto kalkulime mund të lëvizin për pak, nëse vendoset që të shtohet dhe ndonjë ministri, gjë për të cilën thuhet që po insiston LDK-ja.