Lajme

285 pacientë të pickuar deri tani nga rriqrat në këtë Komunë

Krahas pandemisë së koronavirusit, banorët e Klinës edhe këtë pranverë ballafaqohen me rrezikun e pickimit nga rriqrat. Mirëpo, masat ndaj pandemisë së koronavirusit kanë ndikuar që gjatë tre muajve të parë të asaj që njihet si sezoni i rriqrave të ketë më pak raste të pickimeve, por të cilat u shtuan gjatë muajit qershor.

“Në komunën tonë të pickuar janë të evidentuara 285 raste. Rasti i parë pickim në komunën tonë ka qenë me 27 prill në fshatin Jashanicë. Dhe në kontinuitet pickimet kanë vazhduar, me intensitet përafërsisht të njëjtë”, ka thënë Haxhi Ibishi, infektolog në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë.

Në këtë komunë tash e 10 vjet nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes nga ethet hemorragjike, kurse prej gjitha këtyre rasteve të pickimeve sivjet, siç tregon Ibishi, vetëm një rast ishte i dyshuar me ethet hemorragjike, por i cili pas testimit rezultoi negativ.

Rasti i parë i pickimit sivjet është evidentuar në QKMF një muaj më vonë sesa rëndom ka ndodhur në të shkuarën dhe në këtë, sipas Ibishit, kanë ndikuar edhe masat ndaj pandemisë së koronavirusit.

Çdo vit në këtë komunë evidentohen mbi 300 raste të pickimeve nga rriqrat. Për shkak të rrezikut permanent prej rriqrave, Klina vitet e fundit i iku spërkatjes selektive të sipërfaqeve dhe u orientua më tepër në fushata vetëdijesimi me qytetarë dhe nxënës nëpër shkolla.

“Kemi parë se rezultati është përafërsisht i njëjtë dhe nuk kemi deshtë me i ekspozua një rrezikut të panevojshëm me kemikale, qoftë te njerëzit, qoftë te bima apo edhe kafshët e zonës tonë”, ka thënë Ibishi.

Edhe këtë vit, institucionet shëndetësore komunale kishin nisur fushatën në fillim të marsit, por pas shfaqjes së pandemisë është ndërprerë fushata dhe komuna nuk ka ndërmarrë ndonjë masë tjetër për parandalimin e pickimeve nga rriqrat.


SHIKO EDHE: 7 SIMPTOMAT QË JU TREGOJNË NËSE KENI COVID-19