Lajme

200 protestues ishin dje në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës

Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me protestën e cila u zhvillua dje në sheshin “Skenderbeu”, saktësisht para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Në këtë njoftim është theksuar se në protestë kanë marrë pjesë rreth 200 protestues, të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre përmes mbishkrimeve të ndryshme.

“Është mbajtur një protestë nga shoqëria civile lidhur me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në protestë kanë marrë pjesë rreth dyqind protestues, pakënaqësitë e tyre i kanë shfaqur përmes mbishkrimeve të ndryshme. Rreth orës 12:30 protesta ka përfunduar dhe çdo gjë ka kaluar pa ndonjë incident. Njësitë policore gjatë gjithë kohës kanë monitoruar mbarëvajtjen e protestës.”, thuhet në njoftimin për media.

Ndryshe ditën e djeshme shumë qytetarë janë mbledhur për të protestuar kundër propozimit për rritjen e çmimit të faturave të energjisë-elektrike.

“Asnji cent më shumë, ngrohja nuk është komoditet, rryma është e drejtë esenciale”, ishin disa nga mbishkrimet të cilat mbanin ata.

Protesta ishte paralajmëruar ditë më parë dhe është organizuar nga një grup qytetarësh, në shenjë pakënaqësie për propozimin e ZRRE-së për ngritjen e çmimit të faturave të rrymës.

Siç ka bërë të ditur ZRRE-ja, në këtë rritje nuk do të përfshihen komunat veriore.

Për t’i mbuluar shpenzimet e faturave elektrike që shkojnë në mbi 600 KW, qeveria ka thënë se do të subvencionojë 75 milionë euro.

Me 75 milionë eurot e propozuara, shuma e mjeteve financiare të ndara për mbulimin e krizës energjetike shkon në mbi 100 milionë.


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje